Besar Ademi
15 Mars 2017•Përditësim: 16 Mars 2017
SHKUP (AA) – Në Shkup u organizuar aktiviteti i përfundimit të projektit të USAID-it për integrim ndëretnik në sistemin arsimor të Maqedonisë, projekt pesë vjeçar me vlerë prej 6.2 milion dollarë. Ky projekt, synonte të krijojë mjedisin politik, social dhe ekonomik të nevojshëm që Maqedonia të arrijë integrim të qëndrueshëm ndëretnik në shkolla, në institucione të tjera arsimore, por edhe në të gjithë shoqërinë e këtij vendi, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Arsimit dhe Shkencës i Republikës së Maqedonisë, Pishtar Lutfiu, tha se një ndër arritjet kryesore të këtij projekti është se të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të vendit janë të përfshira në projekt, ndërsa siç theksoi ai, procesi i integrimit ndëretnik është një ndër fushat më të rëndësishme për shoqërinë dhe sistemin e arsimit të Maqedonisë.
“Këshilltarët dhe inspektorët e arsimit të Byrosë për Zhvillimin e Arsimit në nivel nacional dhe rajonal janë kyçur në zbatimin e aktiviteteve të ndryshme dhe të qëndrueshme për përforcimin e kapaciteteve. Me këtë projekt janë formuar rreth 400 partnerë mes shkollave përmes të cilave është vendosur interaksion mes mësimdhënësve dhe nxënësve të shkollave të gjuhëve të ndryshme mësimore”, deklaroi Lutfiu.
Ndërkaq, udhëheqës i Misionit të USAID-it në Maqedoni, James Stein, theksoi se ky projekt është një shembull se si angazhimi qytetar ndihmon në ndryshimin dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në bashkësitë etnike në Maqedoni.
“T’u mundësojmë të rinjve që ta shohin vlerën dhe rëndësinë e diversitetit, interkulturalizmit dhe respektimit të ndërsjellë, pa dallim të përkatësisë etnike apo ndonjë përkatësie tjetër”, u shpreh James Stein.
Baily: Funksionimi i institucioneve në mënyrë demokratike, aktualisht është çështje shumë e rëndësishme
Ambasadori i SHBA-ve në Maqedoni, Jess Baily, i cili ishte i pranishëm në ngjarjen përfunduese të projektit të USAID-it për integrim ndëretnik në arsim, theksoi se integrimi ndëretnik i shoqërisë së Maqedonisë është e ardhmja e këtij vendi.
Baily i cili foli për krizën aktuale politike që ka përfshirë vendin, theksoi se SHBA-të mbeten miq dhe partner të Maqedonisë. Ai shtoi se SHBA-të duan të ndihmojnë në procesin për zgjidhjen e krizës, mirëpo siç theksoi ai, funksionimi i institucioneve në mënyrë demokratike mbetet në dorën e qytetarëve të vendit dhe udhëheqësve politik.
“Në lidhje me vendimin e presidentit Gjorgje Ivanov mendojmë se nuk është vendim i duhur dhe ne e marrim në konsideratë të njëjtën. Mendoj se tani është e rëndësishme të funksionojnë institucionet demokratike dhe zgjidhja e krizës është këtu”, porositi Baily.
Ndryshe, presidenti Ivanov refuzoi të mandatojë kreun e Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM) për të formuar qeverinë e re, duke u arsyetuar se ky i fundit negocion për platforma të vendeve të huaja.