Ali Murat Alhas
25 prill 2021•Përditësim: 26 prill 2021
Ministria turke e Mbrojtjes Kombëtare ka njoftuar se forcat turke të sigurisë neutralizuan 4 terroristë të YPG/PKK-së në Sirinë veriore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim, ministria njoftoi se terroristët shënjestruan zonën e operacionit "Burimi i Paqes", duke hapur të shtëna provokuese dhe duke u përpjekur për t'u infiltruar në zonë.
Ushtarët turq u kundërpërgjigjën me zjarr dhe zmbrapsën tentimin e tyre për të prishur paqen dhe stabilitetin në rajon.
Autoritetet turke shpesh përdorin shprehjen "neutralizim" në deklaratat e tyre, me çka nënkupton se terroristët në fjalë janë dorëzuar, vrarë ose janë kapur.
Që nga viti 2016, Turqia ka nisur tre operacione të suksesshme antiterroriste përtej kufirit të saj në veri të Sirisë për të parandaluar formimin e një korridori terrorist dhe për të mundësuar kthimin paqësor të banorëve. Bëhet fjalë për operacionet "Mburoja e Eufratit" (2016), "Dega e Ullirit" (2018) dhe "Burimi i Paqes" (2019).
Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja, e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë njerëzve, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG-ja është dega e saj siriane.