Merve Gül Aydoğan Ağlarcı
04 Shtator 2020•Përditësim: 05 Shtator 2020
Numri i të vdekurve nga përmbytjet në provincën Giresun të rajonit të Detit të Zi të Turqisë është rritur në 11, njoftuan sot burimet lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Si pjesë e operacioneve të vazhdueshme të kërkim-shpëtimit, ekipet kanë gjetur një trup tjetër në përroin Harsit në rrethin Doğakent.
Burime lokale për AA thanë se trupi i përket një pjesëtari të xhandarmërisë që bashkë me 4 kolegë ishte dërguar në rajon për të ndihmuar ekipet e shpëtimit por automjeti i tyre ra në një grykë për shkak të kushteve të këqija të motit.
Një personel prej 988 personash dhe 288 automjete janë përfshirë në përpjekjet e kërkim-shpëtimit, njoftoi më herët Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë (AFAD).
Sipas raporteve, 157 persona janë shpëtuar deri më tani, të paktën 12 prej tyre të gjetur të plagosur.
Të paktën 17 ndërtesa janë shkatërruar dhe 361 struktura të tjera janë dëmtuar lehtë nga përmbytja, u tha përfaqësuesve të mediave ministri i Mjedisit dhe Urbanizmit, Murat Kurum.
Ndërkaq, ministri i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Bekir Pakdemirli tha më herët se vlerësimet e dëmeve janë në vazhdim, duke shtuar se tokat bujqësore duket të kenë pësuar më pak dëme sesa vlerësohej fillimisht.
Rreth 9 milionë lira turke (1,23 milionë dollarë) janë ndarë për rimëkëmbje dhe rehabilitim në rajon.