Cemil Murat Budak
15 Qershor 2021•Përditësim: 16 Qershor 2021
Policia turke ka arrestuar 44 persona për lidhje të dyshuara me organizatën terroriste FETO, grupi që qëndron pas grusht shtetit të mposhtur në vitin 2016 në Turqi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim, prokurorët në Ankara theksuan se urdhrat e arrestit ishin lëshuar për 33 të dyshuar në Komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë, përfshirë ata që ishin në detyrë aktive dhe personelin në pension dhe të shkarkuar, si pjesë e një hetimi për infiltrimin e grupit terrorist në xhandarmëri.
Policia arrestoi 27 të dyshuar në operacionet antiterroriste në 14 provinca. Të dyshuarit akuzohen për komunikim me anëtarët e lartë të FETO-s përmes telefonave me pagesë ose linjave fikse.
Veçmas, 17 persona u arrestuan në Ankara. Arrestimet erdhën pasi u lëshuan urdhra për 20 persona të martën për lidhje të dyshuara të tyre me grupin terrorist.
FETO dhe udhëheqësi i saj me bazë në SHBA, Fethullah Gülen orkestruan grushtin e shtetit të mposhtur të 15 korrikut të vitit 2016, i cili la 251 persona të vdekur dhe 2.734 të plagosur.
Ankaraja akuzon FETO-n se qëndron pas një fushate të gjatë për të përmbysur shtetin përmes infiltrimit në institucionet turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor.