Aynur Ekiz
23 Dhjetor 2016•Përditësim: 23 Dhjetor 2016
ANKARA (AA) – Në të gjitha xhamitë e Turqisë sot me rastin e faljes së namazit të xhumasë u lexua hutbeja me temë “Ndihma e Allahut është me besimtarët” e përgatitur nga Presidenca e Çështjeve Fetare e Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në hutbe u lexua vargu nga Kur’ani “Mos u dobësoni dhe mos u pikëlloni. Nëse keni besuar, ju jeni më të ngriturit”, ndërkohë që u theksua se populli dhe bota islame po përjetojnë vështirësi të ngjashme me ato që u përball profeti Muhamed dhe muslimanët e parë.
Ndër tjerash, në hutbe u tha: “Po punohet që me dhunë dhe terrorizëm zemrat të na i mbushin me frikë dhe të na dobësojnë. Në këtë kohë të vështirë, rreziku më i madh nga i cili duhet të ruhemi ne si besimtarë, është humbja e shpresës, përçarja, humbja e unitetit, dhe heqja dorë nga kujdesi për vëllazërinë dhe shpresëdhënia për të dëmtuarit".
Gjatë leximit të hutbes, po ashtu u theksua nevoja që muslimanët të vazhdojnë të jenë shpresë për fëmijët e pafajshëm në Halep, për gratë me zemër të lënduar dhe për të moshuarit.
“Ne duhet të vazhdojmë të jemi shpresë për muslimanët e Arakanit të braktisur në dorë të fatit dhe për të privuarit në Afrikë. Ne me këtë vetëdije duhet të vazhdojmë të jemi në anën e së mirës kundër së keqes, në anën e së drejtës kundër së kotës dhe në anën e të dëmtuarve kundër dëmtuesit”, u tha më tej në hutben e së premtes.