Tuğrul Çam,Tevfik Durul
04 Tetor 2019•Përditësim: 06 Tetor 2019
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu ka deklaruar se Bashkimi Evropian (BE) duhet të mbajë premtimet lidhur me çështjen e migracionit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Çavuşoğlu, është takuar në Ankara me komisionerin e BE-së për migracionin Dimitris Avramopoulos, ministrin e Brendshëm gjerman, Horst Seehofer dhe ambasadorin francez në Ankara Charles Fries, për të diskutuar çështjen e migracionit .
Fries ka qenë i pranishëm pasi ministri i Brendshëm francez, Christophe Castaner anuloi vizitën e tij në Ankara për shkak të sulmit ndaj policëve në Paris.
Në një deklaratë pas takimit Çavuşoğlu ka njoftuar se në këtë takim kanë gjetur mundësinë të vlerësojnë edhe çështjen e migracionit edhe marrëdhëniet Turqi-BE.
"Kemi vërejtur se BE-ja dëshiron një bashkëpunim më të shëndetshëm me Turqinë në çështjen e migracionit", tha Çavuşoğlu duke shtuar "se është e nevojshme që të mbahen edhe premtimet e dhëna".
"Në kuptimin e përgjithshëm ne kemi thënë se çështja e migracionit është një çështje humane dhe se duhet të vazhdojë bashkëpunimi ynë. Ne kemi shprehur edhe pritshmëritë tona nga BE-ja teksa vazhdojnë përpjekjet e Turqisë. Ndaj Turqisë ka patur akuza të papabaza pasi kohët e fundit është shënuar një rritje e vogël në kalimet drejt ishujve të Greqisë. Është një situatë që ne nuk mund ta pranojmë që (presidenti francez Emmanuel) Macron akuzoi Turqinë gjatë një fjalimi, madje në përgjigje ndaj një pyetjeje në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës", tha Çavuşoğlu.
"Në vend të akuzave të tilla ne duhet ta zgjidhim problemin së bashku. Turqia i zbaton përgjegjësitë e saj. Ne kemi diskutuar edhe të gjithë elementët brenda marrëveshjes së përbashkët më 16 mars 2016. Kemi diskutuar se cilat përgjegjësi ka përmbushur dhe cilat përgjegjësi nuk i ka përmbushur BE-ja", vazhdoi më tej Çavuşoğlu.
Ai bëri të ditur se delegacioni është informuar në mënyrë gjithëpërfshirëse edhe dje nga ministri i Brendshëm Süleyman Soylu lidhur me luftën e Turqisë kundër migrimit ilegal dhe trafikimit të qenieve njerëzore.
"Kjo nuk është vetëm çështje e migracionit", tha Çavuşoğlu i cili ka rikujtuar se BE-ja ka përgjegjësi edhe në lidhje me çështjet si negociatat e anëtarësimit, rinovimin e Unionit Doganor dhe liberalizimin e vizave.
"Kohët e fundit në Gjermani, Francë dhe Britani janë marrë disa masa kundrejt PKK-së por këto i shohim si të pamjaftueshme. Janë një fillim i mirë por të pamjaftueshme. Nuk kemi parë as mbështetje të mjaftueshme në luftën kundër FETO-s" deklaroi më tej Çavuşoğlu.