Fatjon Cuka
18 Mars 2019•Përditësim: 19 Mars 2019
Lista e futbollistëve të grumbulluar nga trajneri i Kombëtares së Shqipërisë në Futboll, Christian Panucci, për dy ndeshjet zyrtare me Turqinë dhe Andorrën, ka pësuar ndryshime, transmeton Anadolu Agency (AA).
Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka njoftuar se për shkaqe dëmtimi, nga grumbullimi i ekipit kombëtar të Shqipërisë, pas ekzaminimeve mjekësore të nevojshme largohen Andi Lila dhe Egzon Binaku. Ndërkohë, në vendin e tyre do të jenë futbollistët Ylber Ramadani dhe Lorenc Trashi.
Ky ndryshim vjen pas largimit nga lista nga trajneri Panucci, të Thomas Strakoshës, për arsye disiplinore.
FSHF për AA ka konfirmuar se në vend të Strakoshës, është aktivizuar futbollisti Gentian Selmani.
Lista e futbollistëve e publikuar nga trajneri Panucci për dy ndeshjet e radhës përveç ndryshimeve, përfshin futbollistët: Etrit Berisha, Alban Hoxha, Arlind Ajeti, Naser Aliji, Ivan Balliu, Berat Djimsiti, Elseid Hysaj, Ardian Ismajli, Enea Mihaj, Frederic Veseli, Amir Abrashi, Migjen Basha, Ergys Kaçe, Ledian Memushaj, Kristi Qose, Taulant Xhaka, Kristal Abazaj, Bekim Balaj, Eros Grezda, Armando Sadiku dhe Myrto Uzuni.
Për fazën eliminatore të “EURO 2020” Shqipëria dhe Turqia do të jenë në grupin H, së bashku me Francën, Islandën, Moldavinë dhe Andorrën.
Ndeshja të cilën kombëtarja e Shqipërisë do ta zhvilloj përballë Turqisë më 22 mars do të luhet në Stadiumin “Loro Boriçi” në qytetin e Shkodrës.
Ndërsa ndeshja Andorra-Shqipëri do të luhet më 25 mars në Stadiumin “Estadi Nacional” në Andorra.