Liga e Konferencës: Drita mposhti Shkëndijën në Prishtinë
Goli i Arb Manajt në minutën e 20-të e ia siguroi skuadrës së Dritës fitoren
Prishtinë
Skuadra e futbollit nga Gjilani, Drita, ka mposhtur me rezultatin 1:0 skuadrën Shkëndija të Tetovës në ndeshjen e xhiros së katërt të fazës së ligës në Ligën e Konferencës, raporton Anadolu.
Ndeshja u përcoll nga rreth tetë mijë tifozë, përfshirë një pjesë të madhe të “Intelektualëve” të Dritës së Gjilanit dhe “Ballistëve” që erdhën nga Tetova e Maqedonisë së Veriut në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Në pjesën e parë pati raste shënimi nga të dyja skuadrat, mirëpo goli i Arb Manajt në minutën e 20-të e kaloi skuadrën e Dritës në epërsi, pasi topi nuk u largua mirë nga zona dhe sulmuesi shtatlartë i Dritës përfitoi duke shënuar me goditje të lehtë nga zona.
Në pjesën e dytë, Shkëndija nëpërmjet Liridon Latifit rrezikoi seriozisht portën e Dritës, kur në minutën e 56-të të ndeshjes qëlloi traversën nga gjuajtja e lirë, por rasti nuk u konkretizua me gol.
Kjo ishte hera e parë që dy skuadra shqiptare përballen kundër njëra-tjetrës në garat evropiane të UEFA-s.
Fitorja e Dritës me rezultat 1:0 ndaj Shkëndijës përfaqëson një hap të madh për Dritën në rrugëtimin evropian, duke i siguruar skuadrës gjilanase tri pikë të vlefshme dhe një shtytje të fortë në garën e Ligës së Konferencës.
Me këtë fitore Drita është ngritur në vendin e tetë me 8 pikë, ndërsa kampionia e Maqedonisë së Veriut, Shkëndija, mbetet me 4 pikë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
