Kosova fiton ndaj Suedisë në Goteborg
Golin e fitores për Kosovën e shënoi Fisnik Asllani në minutën e 32-të

Prishtinë
Kombëtarja e Kosovës në futboll ka fituar tre pikë duke e mposhtur Suedinë 0-1 si mysafire, transmeton Anadolu.
Ndeshja e vlefshme për Kupën e Botës 2026 u zhvillua në Goteborg të Suedisë, ku Kosova mori mbështetje nga mijëra shqiptarë në stadiumin “Ullevi”.
Golin e fitores për Kosovën e shënoi Fisnik Asllani në minutën e 32-të.
Kosova në pjesën e parë po ashtu humbi edhe një rast të volitshëm për gol, kur në minutën e 43-të sulmuesi Vedat Muriqi dha një goditje të fuqishme drejtë portës e cila u ndal nga portieri suedez, ndërsa më pas Leon Avdullahu e dërgoi topin në shtyllën e kundërshtarit.
Pjesa e dytë u takoi suedezëve, të cilët ishin më kërkues në sulm, por Kosova forcoi mbrojtjen dhe arriti ta ruajë epërsinë.
Kosova e mposhti Suedinë edhe muajin e kaluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë me rezultat 2-0.
Kosova tani ka gjithsej 7 pikë dhe vazhdon të mbajë pozitën e dytë në Grupin B, të cilit i prin Zvicra me 10 pikë. Në vendin e tretë është Sllovenia me 3 pikë, ndërsa Suedia e fundit me vetëm 1 pikë.