BALLKANI

Ademi: Disa ekipe shpërthejnë në këto momente, besoj se Kosova do ta bëjë në EURO 2020

"Ky do të jetë ekipi që do të bëjë mrekullira, sepse është një ekip që e ka mentalitetin e fituesit. Është një ekip i ri që është komponuar dhe po komponohet çdo herë e më shumë", thotë kreu i FFK-së, Agim Ademi

Agim Sulaj  | 24.03.2019 - Përdıtësım : 25.03.2019
Ademi: Disa ekipe shpërthejnë në këto momente, besoj se Kosova do ta bëjë në EURO 2020 ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka deklaruar se ekipi i kombëtares kosovare do të bëjë një mrekulli në fazën e kualifikimeve të Kampionatit Evropian të vitit 2020 “EURO 2020”.

Kosova të enjten zhvilloi ndeshjen miqësore kundër Danimarkës, e cila përfundoi me rezultat 2:2, ndërsa të hënën do të luajë në terren vendas ndaj Bullgarisë në fazën eliminatore të “EURO 2020”, ku në të njëjtin grup janë edhe Anglia, Republika Çeke, dhe Mali i Zi.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), kreu i kombëtares së Kosovës në futboll thekson se ekipi i tij i tillë u tregua në ndeshjen miqësore të enjten ndaj Danimarkës, për shkak të siç thotë, “mentalitetit të saj fitues”.

“Ky do të jetë ekipi që do të bëjë mrekullira, sepse është një ekip që e ka mentalitetin e fituesit. Është një ekip i ri që është komponuar dhe po komponohet çdo herë e më shumë”, thekson Ademi, duke shprehur bindje se do të triumfojë në ndeshjen e parë kundër Bullgarisë në kualifikime të “EURO 2020”.

Sipas tij, ekipi kosovar është mirë i përgatitur, me disponim dhe organizim tepër të mirë. Ai beson se do të fillojnë me një rezultat të mirë, por thekson se në futboll asnjëherë nuk është gjithçka e sigurt.

Kosova, thotë ai, është ekip nga ato që shpërthejnë në gara si EURO 2020.

“Janë disa ekipe kombëtare të cilat shpërthejnë pikërisht në këto momente. Këtë ia dëshiroj edhe Kosovës dhe besoj që do ta bëjmë. Sigurisht do të jemi ajo pjesa e cila veç jemi të vlerësuar në FIFA dhe në UEFA, si storje e suksesit të FIFA-s dhe UEFA-s dhe faktikisht po ua vërtetojmë dhe arsyetojmë edhe atyre mundin që e kanë pasur rreth pranimit tonë”, thotë ai.

Ademi për ndeshjen ndaj Malit të Zi: Jemi të futbollit, të luajmë futboll

Sa i përket çëshjtes së sigurisë në ndeshjen midis Kosovës dhe Malit të Zi, e cila do të zhvillohet më 7 qershor në Podgoricë, Ademi beson se Qeveria e Malit të Zi do të ndërmarrë masat e duhura të mos ndodhë ndonjë anomali e panevojshme dhe e paarsyeshme dhe shton se siguria e njëjtë do të garantohet edhe në ndeshjen kthyese në Kosovë.

“Sigurisht është pak e vështirë në këtë rajonin tonë. Sidomos në këto pjesë që kemi qenë në një kohë bashkë ose kemi pasur ndonjë luftë. Sigurisht që ka serbë të cilët jetojnë në Mal të Zi, por shpresoj që sportin ta konsiderojnë si sport”, shprehet Ademi.

“Ne jemi të futbollit dhe të shikojmë të luajmë futboll. Kështu që besoj se do ta kenë kujdesin edhe nga UEFA, sepse po ndodhi diçka e tillë sanksionet do të jenë shumë të mëdha. Ne gjithsesi shkojmë të luajmë pa kurrfarë dileme, pa kurrfarë frike. Ne do të shkojmë të luajmë futboll dhe është njësoj sikur të jemi në Mal të Zi apo Çeki. Absolutisht edhe për këtu unë garantoj siguri sepse nuk do të ketë asgjë tjetër”, shton Ademi.

Si udhëheqës i një federate të pranuar rishtas në FIFA e UEFA, Ademi shprehet mjaft optimist duke thënë se qëllimi i tij është që Kosova përveç Evropianit të kualifikohet edhe në Botëror.

“Goli im do të jetë kualifikimi në Kampionatin Evropian. E shoh Kosovën të kualifikuar në Kampionatin Evropian. Dhe meqë them brenda pesë vjetësh, e shoh edhe në kualifikimet e Botërorit, që sigurisht pas këtij kualifikimi evropian, mund të ndodhë mrekullia edhe atje”, thotë Ademi.

Në Federatën Evropiane të Futbollit (UEFA), Kosova është pranuar më 3 maj të vitit 2016, ndërsa dhjetë ditë më vonë, më 13 maj, kombëtarja e këtij vendi u bë edhe pjesë e Federatës Botërore të Futbollit (FIFA).

Për më shumë se dy vjet pas anëtarësimit të saj në UEFA dhe FIFA, Kosova i ka zhvilluar ndeshjet ndërkombëtare në Shqipëri. Më 11 shtator të vitit 2018, hapja e stadiumit me emrin e legjendës së futbollit kosovar “Fadil Vokrri” nisi një epokë të re për futbollin kosovar.

Pavarësia e Kosovës është shpallur në vitin 2008 dhe është vendi prej nga vijnë edhe emra të njohur të futbollit si Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri që luajnë për kombëtaren e Zvicrës si dhe Adnan Januzaj që luan për kombëtaren e Belgjikës.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.