Dejan Maksimoviç
05 Nëntor 2015•Përditësim: 05 Nëntor 2015
ATHINË (AA) – Policia greke ka njoftuar se së paku gjashtë persona janë lënduar, ndërsa dhjetë janë ndaluar pas përleshjeve të tifozëve nga Serbia dhe Kroacia, konkretisht tifozëve të klubit "Crvena Zvezda" nga Beogradi dhe Dinamos nga Zagrebi në aeroportin e Athinës, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë rrahjes janë përdorur zinxhirët dhe shkopinj bejsbolli, ndërsa konflikti ndodhi të enjten pas ndeshjes në Ligën e Kampionëve ndërmjet Olympiakos-it dhe Dinamos të luajtur të mërkurën mbrëma.
Përkrahësit e Dinamos kanë arritur në Athinë përkundër marrëveshjes midis dy klubeve që për shkak të rrezikut të lartë të mos shesin biletat tifozëve mysafirë.
Në anën tjetër, tifozët nga Beogradi kanë ardhur për të përkrahur Olympiakos-in të cilin e konsiderojnë klub vëllazëror me "Crvena Zvezda"-n. Shumica prej tyre nuk kanë patur tiparet e klubit, por kanë ardhur të veshur në të zezë dhe kanë mbajtur kapela.
Policia greke gjatë dy ditëve të fundit falë bastisjeve dhe arrestimeve ka parandaluar konfliktet e tifozëve nga Zagrebi në një anë dhe atyre nga Beogradi dhe Athina në anën tjetër.
Përndryshe, ndeshja ndërmjet Olympiakos-ti dhe Dinamo-s në xhiron e katërt të grupit "F" ka përfunduar me rezultatin 2:1 në favor të nikoqirit.