Abdula Berisha
23 Shtator 2022•Përditësim: 24 Shtator 2022
Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut në futboll ka pësuar disfatë me rezultat 2-0 në ndeshjen kundër Gjeorgjisë të zhvilluar në Tbilisi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Maqedonia e Veriut e zhvilloi ndeshjen e pestë nga gjithsej gjashtë ndeshjet që zhvillohen në kuadër të grupit të katërt të Ligës C të UEFA Ligës së Kombeve në stadiumin "Boris Paichadze Dinamo Arena" në kryeqytetin gjeorgjian Tbilisi.
Pjesa e parë e ndeshjes përfundoi me rezultat 1-0 në të mirë të nikoqirëve, falë autogolit të shënuar nga Bojan Miovski në minutën e 35-të të ndeshjes.
Në pjesën e dytë, Khvicha Kvaratskhelia në minutën e 64-të rriti epërsinë e gjeorgjianëve në 2-0, rezultat me të cilin përfundoi ndeshja.
Pas pesë ndeshjeve të zhvilluara, përfaqësuesja e Gjeorgjisë ka siguruar vendin e parë në tabelë, me gjithsej 13 pikë të fituara.
Maqedonia e Veriut është e dyta me 7 pikë, ndërsa në të njëjtin grup janë edhe Bullgaria dhe Gjibraltari me tre, respektivisht një pikë, si dhe me një ndeshje më pak të zhvilluar.