Emre Aşıkçı
22 Maj 2024•Përditësim: 22 Maj 2024
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino drejtoi një ceremoni në të cilën u shënua 120-vjetori i organit menaxhyes global të futbollit, raporton Anadolu.
Ngjarja u mbajt në Paris me ftesë të presidentit francez Emmanuel Macron.
Në ceremoni morën pjesë Macron, zyrtarë të lartë të FIFA-s, përfaqësues të gjashtë konfederatave të futbollit botëror, shtatë anëtarët themelues, legjenda të FIFA-s dhe personalitete të tjera nga bota e futbollit dhe sportit.
"Filluam me shtatë anëtarë 120 vjet më parë. Tani janë 211. Pesë miliardë njerëz që shikojnë Kupat e Botës FIFA dhe ëndërrojnë për futbollin; lojtarët dhe legjendat e FIFA-s që janë këtu sot, ata që bëjnë zemrat tona të rrahin, që na japin këto emocione të pabesueshme, tifozë nga e gjithë bota që ndjekin pasionin e tyre dhe që e bëjnë futbollin vërtetë unik", tha Infantino.
"Historia e 120 viteve, 120 viteve që bashkojnë botën", shtoi ai.
Gjatë ceremonisë, presidenti i FIFA-s dhe përfaqësues nga shtatë anëtarët themelues të FIFA-s, përfshirë shoqatat kombëtare të futbollit të Belgjikës, Danimarkës, Francës, Holandës, Suedisë dhe Zvicrës, si dhe Real Madridi, i cili përfaqësoi Spanjën 120 vjet më parë, nënshkruan një certifikatë përkujtimore.