Atila Altuntaş
20 Dhjetor 2015•Përditësim: 20 Dhjetor 2015
STOCKHOLM (AA) - Kryeministri suedez, Stefan Löfven, ka deklaruar se Turqia me Rusinë duhet të jenë në dialog duke punuar sëbashku për zgjidhjen e krizës në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).
Löfven ka dhënë vlerësimet e tij për gazetarin e AA-së për marrëdhëniet Turqi-Rusi, krizën e refugjatëve dhe Sirinë si dhe zhvillimet në Suedi.
Ai duke cekur tensionet midis Turqisë dhe Rusisë të cilat nisën pas rrëzimit të avionit luftarak rus i cili shkeli hapësirën ajrore turke ka theksuar se marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të normalizohen. "Turqia me Rusinë duhet të ulin tensionin politik. Zgjidhja e problematikës së Sirisë është e varur nga marrëdhëniet Turqi-Rusi. Kriza në Siri mund të kapërcehet nëpërmjet përpjekjeve të përbashkëta brenda një dialogu mes Turqisë dhe Rusisë".
- Turqia vend kyç në zgjidhjen e krizës në Siri-
Löfven, duke vënë theksin se është pranuar edhe nga Bashkimi Evropian që Turqia ka rol kyç në çështjen refugjatëve të cilët përpiqen të mbërrijnë në Evropë, u shpreh se "marrëveshja mes Turqisë dhe BE-së e përqendruar në krizën e refugjatëve merr një rol jetësor".
Duke rikujtuar se në Samitin e mbajtur këtë javë në Bruksel është marrë vendimi për krijimin e një grupi të përbashkët pune mes BE-së dhe Turqisë, ai ka theksuar më tej se "krahas strehimit, arsimit dhe punësimit do të ndiqen temat kryesore si edhe për ardhjen e refugjatëve në mënyrë të sigurtë në Evropë dhe jo si ato të sotshmet që janë të rrezikshme".
Kryeministri suedez ka mbrojtur ndër të tjera qëndrimin se Suedia në krahasim me vendet e tjera të Evropës është vendi që ka më shumë refugjatë. Ai shprehet se "kemi rënë dakord me Komisionin e BE-së për shpërndarjen në vendet e tjera të Bashkimit Evropian të një pjesë prej 150 mijë refugjatëve që ndodhen në Suedi".
Löfven ka theksuar se në lidhje më këtë çështje muajin e ardhshëm do të kenë takime me Komisionin e BE-së ku dhe do të dakordësohen se sa prej refugjatëve në Suedi do të shpërndahen në vendet e tjera të BE-së.
Ndërsa në lidhje për të drejtën e lëvizjes së lirë në Evropë të shtetasve turq Löfven ka pohuar se nuk do të mund të japë një datë të caktuar dhe ka vlerësuar se: "BE-ja dhe Turqia duhet ti përmbahen premtimeve që i kanë dhënë njëra-tjetrës".
- Löfven, nuk mund ta harrojë sulmin "racist"-
Kryeministri i Suedisë ndër të tjera ka përgëzuar shkencëtarin turk, Prof. Dr. Aziz Sancar i cili u nderua me çmimin Nobel në Kimi dhe shkencëtarët e tjerë të nderuar me çmimin Nobel të cilët ofrojnë kontribute të rëndësishme në zhvillimin e botës.
Löfven, gjithashtu ka folur edhe rreth "sulmit racist" të ndërmarrë në tetorin e kaluar në Suedi dhe ka rikujtuar se ai ka vizituar shkollën e sulmuar ku dhe është takuar me nxënësit, familjet dhe punonjësit e shkollës.
Kryeministri suedez Löfven ndër të tjera ka shtuar se " në sytë e tyre kam vërejtur shokimin, shqetësimin, trishtimin, frikën dhe miqësinë. Këtë tablo nuk do ta harroj për gjithë jetën".
Në shkollën e quajtur Koronen në Trollhattan të Suedisë pati një sulm me shpatë ndaj mësuesve dhe nxënësve refugjatë. Më pas policia pati njoftuar se sulmuesi ishte admirues i Hitlerit dhe kundër myslimanëve. Sulmi ku humbën jetën 3 persona ishte kryer për arsye raciste.