Malik Hasa
30 Shtator 2016•Përditësim: 01 Tetor 2016
TIRANË (AA) - Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti sot në një takim kryetarin e Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim zyrtar të Bashkisë së Tiranës thuhet se Veliaj dhe Trajanovski diskutuan mbi sfidat e zhvillimit dhe të mirëqeverisjes me të cilat përballen sot kryeqyteti i Shqipërisë dhe ai i Maqedonisë.
Kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj, e njohu homologun maqedonas me disa nga projektet që po zbatohen në Tiranë, si dhe për reformat që janë ndërmarrë, si në aspektin e pastrimit të qytetit, menaxhimit të parkingjeve, por edhe shtimin e gjelbërimit dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit", thuhet në njoftimin e Bashkisë së Tiranës.
Më tej theksohet se Veliaj dhe Trajanovski folën edhe për mundësitë konkrete se si dy bashkitë mund të bashkëpunojnë përmes shkëmbimit të eksperiencave mes dy stafeve për rritur shërbimet dhe mirëqenien e qytetarëve të tyre në fusha të tilla si infrastruktura, transporti, zhvillimi ekonomik etj.
Gjatë takimit, ata nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit dhe binjakëzimit mes Bashkisë së Tiranës dhe Qytetit të Shkupit, e cila angazhon të dyja administratat që të bashkëpunojnë në projekte dhe fusha të caktuara.