Nur Asena Ertürk
13 shkurt 2025•Përditësim: 13 shkurt 2025
Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth ka përsëritur thirrjen për një rritje deri në 5 për qind të shpenzimeve të NATO-s, raporton Anadolu.
Në një konferencë të përbashkët për media në Bruksel me shefin e NATO-s, Mark Rutte, Pete Hegseth kujtoi thirrjen e presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
"Presidenti ka thënë se 2 për qind nuk është e mjaftueshme dhe ne do të argumentojmë se deri në 5 për qind është investimi i nevojshëm nga vendet e NATO-s për t'u siguruar që ne mund të përballojmë kërcënimet e së ardhmes", tha Hegseth.
Në një deklaratë të mëparshme dje, Hegseth bëri thirrje për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe tha se objektivi i mëparshëm prej 2 për qind i prodhimit të brendshëm bruto nuk është i mjaftueshëm dhe se Trump ka bërë thirrje për 5 për qind.
Hegseth theksoi gjithashtu nevojën për të forcuar bazën industriale të mbrojtjes për Evropën dhe SHBA-në, duke shtuar se "kemi nevojë për aftësinë për të krijuar sistemet dhe municionet e nevojshme për të mbajtur një luftë".
Sekretari amerikan përshëndeti bisedat e mbrëmshme të Trumpit me presidentët ukrainas dhe rus, Volodymyr Zelenskyy dhe Vladimir Putin, për dhënien fund të luftës në Ukrainë.
"Ka një njeri në botë të aftë të mbledhë palët së bashku për të sjellë paqen dhe ai është presidenti Donald Trump", tha Hegseth.
Rutte, nga ana e tij, mbështeti komentet e sekretarit amerikan, duke theksuar se, "Ne duhet të rrisim shpenzimet e mbrojtjes, sepse e dimë se nuk mund të mbrohemi në katër ose pesë vjet nga tani nëse nuk e bëjmë këtë".
Shefi i NATO-s tha se të gjithë aleatët ranë dakord se duhet të ketë paqe në Ukrainë, se ajo duhet të jetë e qëndrueshme dhe se Ukraina duhet të jetë "në një pozicion fuqie".
Dje, Zelenskyy tha se ka pasur një "bisedë kuptimplote" me Trumpin, ku foli mbi "mundësitë për të arritur paqen".
Trump foli gjithashtu me Putinin, i cili mbështeti pikëpamjen e tij se ka ardhur koha që ata të "punojnë së bashku".