Elena Teslova
13 shkurt 2025•Përditësim: 13 shkurt 2025
Kremlini ka bërë të ditur se presidenti rus, Vladimir Putin dhe ai amerikan, Donald Trump, kanë udhëzuar ndihmësit e tyre që menjëherë të fillojnë përgatitjet për një takim ballë për ballë mes dy liderëve pas telefonatës së fundit të tyre, transmeton Anadolu.
"Krerët e shteteve (të Rusisë dhe SHBA-së) dje gjatë bisedës së tyre ranë dakord se ata do të mbajnë kontakte të drejtpërdrejta, do të fokusohen në organizimin e një takimi të veçantë dhe do të udhëzojnë menjëherë ndihmësit e tyre përkatës që të fillojnë përgatitjet e nevojshme", tha në një konferencë për media zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
I pyetur nëse një armëpushim në luftën Rusi-Ukrainë do të ishte një parakusht për takimin, Peskov tha se kjo temë nuk u diskutua. Ai theksoi se mbetet e paqartë se cilat vende mund të marrin pjesë në bisedime.
"Vullneti politik i dy liderëve është shprehur dhe udhëzimet janë dhënë. Megjithatë, ky vendim u mor mbrëmë në Moskë. Tani është vetëm mesdita e të nesërmes, prandaj kërkohet pak durim", tha Peskov.
Dje, Putin dhe Trump zhvilluan bisedën e tyre të parë telefonike që kur presidenti amerikan mori detyrën muajin e kaluar, ku sipas Kremlinit dhe Shtëpisë së Bardhë u diskutuan çështje kyçe globale dhe dypalëshe.