Ivana Ramadanova
27 Shtator 2016•Përditësim: 28 Shtator 2016
SHKUP (АА) – Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov sot priti shefin e Zyrës për lidhje të Republikës së Greqisë në Maqedoni, Dimitris Janakakis, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas njoftimit të kabinetit presidencial, presidenti Ivanov ambasadorit Janakakis i dëshiroi mirëseardhje dhe sukses në ushtrimin e funksionit, njëherit duke shprehur bindjen se me kabinetin e tij do të kontribuojë në avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve.
Presidenti Ivanov përshëndeti intensifikimin e dialogut në nivel ministror dhe përpjekjet e të dyja vendeve për shpejtimin e procesit të implementimit të masave për ndërtim të besimit.
“Është e domosdoshme që t’i pasurojmë dhe të vendosim përmbajtje të re në bashkëpunimin bilateral, e cila pa mëdyshje ndihmon në krijimin e ambientit pozitiv. E njëjta ka të bëjë edhe në trendin pozitiv në dialogun politik që gjatë periudhës së ardhshme duhet ta mbajmë dhe pasurojmë në të gjitha nivelet”, theksoi Ivanov.
Në këtë kontekst, presidenti i Maqedonisë theksoi nevojën e thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe harmonizimin dhe avancimin e kornizës juridike, si dhe nevojën për lidhje të mëtejshme infrastrukturore dhe energjetike, rivitalizimin e rrjetit hekurudhor dhe hapjen e kufijve të ri.
Të dy bashkëfolësit shkëmbyen mendime për projekte të mundshme, realizimi i të cilëve përmes bashkëpunimit bilateral apo rajonal, do të ishin në interes të rajonit tonë.