Bekim Laci
27 tetor 2015•Përditësim: 28 tetor 2015
SHKUP (AA)- Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ka pritur sot në një takim delegacionin e biznesit nga shteti i Katarit, i cili po qëndron në vend me ftesë të presidentit, raporton Anadolu Agency.
Qëllimi i vizitës siç thonë nga kabineti presidencial, është përparimi i bashkëpunimit ekonomik mes Republikës së Maqedonisë dhe Katarit, e cila do të realizohet përmes projekteve konkrete në fusha të ndryshme.
Në takim, thuhet më tej, Ivanov ka theksuar se “Republika e Maqedonisë ka marrëdhënie të shkëlqyera politike me Katarin dhe ka shprehur përkrahje të fuqishme për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik mes të dy vendeve”.
Ivanov në këtë takim ka thënë se ka shumë potencial për bashkëpunimin duke theksuar nevojën e domosdoshme që të përforcohen kontaktet mes bashkësive të biznesit të të dy vendeve, me qëllim të realizimit të projekteve konkrete.
"Delegacioni i biznesit nga Katari ka shprehur interes të veçantë për lëminë e bujqësisë, prodhimtarisë së ushqimit, energjetikës, telekomunikimeve, ndërtimtarisë, infrastrukturës dhe patundshmërive. Në atë kontekst ditëve të fundit ishin organizuar edhe takime mes delegacionit të Katarit me institucionet e obliguara për tërheqjen e investimeve të huaja, si dhe me kompanitë vendore, anëtare të Odave ekonomike të Republikës së Maqedonisë” ka thënë presidenti Ivanov.
Vizita e delegacionit të biznesit nga Katari në Republikën e Maqedonisë, vjen si rezultat i vizitës së mëhershme të presidentit Ivanov në Katar dhe takimeve me emirin e Shtetit të Katarit, N.V. Sheik Tamim Bin Hamad Al Tani, si dhe me sheikun Kalifa bin Jasim Al Tani, kryetar i odës ekonomike të Katarit.