Fatjon Cuka
02 Mars 2017•Përditësim: 02 Mars 2017
TIRANË (AA) - Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në Maqedoni, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën e publikuar nga Kuvendi i Shqipërisë, Meta "shpreh keqardhjen për retorikat nacionaliste".
"Shpreh shqetësimin për situatën e rënduar politike në Maqedoni dhe inkurajoj të gjitha forcat politike në vendin fqinj për qetësi, përgjegjshmëri dhe konstruktivitet. Dëshiroj të shpreh gjithashtu keqardhjen për retorikat nacionaliste anti-shqiptare të cilat cenojnë harmoninë dhe bashkëjetesën ndëretnike, si garanci për stabilitetin e vendit fqinj", thuhet në deklaratën e kryeparlamentarit Meta.
Në fund ai thekson se shpreson që gjithë aktorët institucionalë dhe politikë të tregojnë përkushtim për progresin demokratik dhe euro-atlantik të Maqedonisë.
Kujtojmë se Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, nuk ia dha mandatin për krijimin e qeverisë së re kryetarit të Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë, Zoran Zaev me pretendimin se “nuk do të japë mandatin për formimin e qeverisë së re çdo kujt i cili negocion për platforma të vendeve të huaja me të cilat cenohet populli maqedonas dhe kërcënohet shteti unitar dhe sovraniteti”.