Lavrov: Rusia ende e gatshme për samitin në Budapest
"Ne jemi ende të gatshëm të zhvillojmë samitin e dytë ruso-amerikan në Budapest, nëse ai do të bazohet realisht në rezultatet e mirëpërcaktuara të (takimit në) Alaskës", tha ministri i Jashtëm rus, Lavrov
Istanbul
Rusia mbetet e hapur për mbajtjen e një samiti Rusi–SHBA në Budapest dhe dialogu mes dy palëve po vazhdon, tha ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, në një intervistë për gazetën italiane "Corriere della Sera", teksti i së cilës u publikua sot nga agjencia ruse e lajmeve TASS, transmeton Anadolu.
"Ne jemi ende të gatshëm të zhvillojmë samitin e dytë ruso-amerikan në Budapest, nëse ai do të bazohet realisht në rezultatet e mirëpërcaktuara të (takimit në) Alaskës. Megjithatë, data ende nuk është përcaktuar. Kontaktet ruso-amerikane po vazhdojnë", tha ai.
Lavrov deklaroi se gazeta "The Financial Times" "ka publikuar një version të rremë" të ngjarjeve, pasi e kishte lidhur anulimin e samitit të Budapestit me një memorandum mbi Ukrainën, të cilit Rusia thuhej se i ishte referuar.
Ai theksoi se gazeta "e ka shtrembëruar thelbin dhe rendin e ngjarjeve për t'i hedhur fajin Moskës dhe për ta devijuar (presidentin amerikan) Donald Trump nga rruga që ai ka propozuar, pra, nga një rrugë drejt paqes së qëndrueshme dhe afatgjatë, në vend të armëpushimit të menjëhershëm, ku sponsorët evropianë të (presidentit ukrainas Volodymyr) Zelenskyyt, të fiksuar pas idesë për të marrë frymë pak dhe për ta përmbytur regjimin nazist me armë për të vazhduar luftën kundër Rusisë, po përpiqen ta tërheqin atë".
Ai shtoi se nëse BBC-ja mund të sajojë një video të fjalimit të Trumpit duke futur një thirrje për të sulmuar Kapitolin, atëherë, sipas tij, "Financial Times" nuk do të ngurronte të gënjente gjithashtu.
