Politikë

"Izraeli duhet të hapë kalime shtesë në Gaza"

Zyrtarët nga SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, EBA, Katari, Qiproja Jugore dhe Komisioni Evropian "ranë dakord se për dërgimin e ndihmës në shkallë nuk ka asnjë zëvendësim për rrugët përmes Egjiptit dhe Jordanisë dhe pikat e hyrjes nga Izraeli në Gaza"

Rabia İclal Turan  | 14.03.2024 - Përdıtësım : 15.03.2024
"Izraeli duhet të hapë kalime shtesë në Gaza"

Washington DC

Zyrtarë të lartë nga SHBA-ja, Bashkimi Evropian (BE) dhe katër vende të tjera kanë rënë dakord se Izraeli duhet të hapë kalime shtesë për të dërguar më shumë ndihma humanitare në Gaza, derisa ata po punojnë për ndërtimin e një korridori detar për të rritur sasinë e ndihmës në enklavë, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë të përbashkët nga SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Qiproja Jugore dhe Komisioni Evropian thuhet se ministrat "theksuan nevojën që Izraeli të hapë kalime shtesë në mënyrë që më shumë ndihma të mund të arrijnë në Gaza, përfshirë veriun, si dhe që të lehtësojë kufizimet e përgjithshme doganore për të lehtësuar një rrjedhë në rritje të ndihmës humanitare shpëtimtare".

Deklarata erdhi pas një video-konference ku morën pjesë sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, komisari i BE-së për menaxhimin e krizave, Janez Lenarčič, ministri britanik i jashtëm, David Cameron, ministri i jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan, ministri i shtetit i Katarit, Mohamed bin Abdulaziz Al-Khulaifi, koordinatorja e lartë humanitare e OKB-së për Gazën, Sigrid Kaag dhe ministri i jashtëm i Qipros Jugore, Constantinos Kombos.

Sipas deklaratës së përbashkët, ministrat "ranë dakord se për dërgimin e ndihmës në shkallë nuk ka asnjë zëvendësim për rrugët tokësore përmes Egjiptit dhe Jordanisë dhe për pikat e hyrjes nga Izraeli në Gaza".

Javën e ardhshme, sipas deklaratës, zyrtarët e lartë do të udhëtojnë në Qipron Jugore për informime të thella mbi aktivizimin e mëtejshëm të korridorit detar, duke përfshirë përpjekjet e planifikimit ushtarak të SHBA-së për të krijuar një skelë të përkohshme në gjendje që të marrë sasi të konsiderueshme ndihme humanitare.

"Ministrat ripohuan se ky korridor detar mund dhe duhet të jetë pjesë e një përpjekjeje të qëndrueshme për të rritur rrjedhën e ndihmave humanitare dhe mallrave komerciale në Gaza përmes të gjitha rrugëve të mundshme, duke përfshirë rrugët e zgjeruara tokësore, si dhe për shpërndarjen e vazhdueshme ajrore, duke punuar ngushtë me koordinatoren Sigrid Kaag, e cila është e ngarkuar me lehtësimin, koordinimin, monitorimin dhe verifikimin e rrjedhës së ndihmës në Gaza sipas Rezolutës 2720 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së", thuhet në deklaratë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.