Agnes Szücs
24 Prill 2023•Përditësim: 25 Prill 2023
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, konfirmoi se BE-ja ka evakuuar me sukses personelin e tij dhe mbi 1.000 shtetas të BE-së nga Sudani, raporton Anadolu.
Duke folur për gazetarët gjatë rrugës për në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg, Borrell tha se stafi i misionit diplomatik të BE-së është evakuuar nga Sudani në një "operacion kompleks dhe të suksesshëm".
Ai "veçanërisht" falënderoi Francën për evakuimin e personelit të BE-së.
Borrell njoftoi gjithashtu se mbi 1.000 qytetarë të BE-së arritën të largohen nga vendi falë "përpjekjeve të kombinuara të shumë vendeve" që shpëtuan njerëz nga shtetet e tjera të BE-së, përveç shtetasve të tyre.
Ai shpjegoi se lufta në Sudan do të jetë në krye të agjendës së ministrave të Jashtëm të BE-së pasi BE-ja "nuk mund të përballojë që Sudani, i cili është një vend shumë i populluar, të shpërthejë, sepse do të dërgojë valë tronditëse në gjithë Afrikën".
Borrell theksoi nevojën për një "zgjidhje politike" të konfliktit.
Vendet e BE-së aktualisht po punojnë për nxjerrjen e më shumë shtetasve të tyre jashtë vendit.
Ministritë e jashtme të Francës, Spanjës dhe Greqisë kanë njoftuar operacione të suksesshme shpëtimi.
Përleshjet midis Forcave të Armatosura sudaneze dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë vazhduan dje pavarësisht armëpushimit 72-orësh të shpallur për festën e Fitër Bajramit.
Ka pasur raportime për shpërthime dhe përleshje, veçanërisht rreth selisë ushtarake dhe pallatit presidencial në kryeqytetin Khartum.
Të paktën 413 persona janë vrarë dhe më shumë se 3.500 janë plagosur në Sudan që nga shpërthimi i luftimeve mes dy palëve më 15 prill.