Diyar Güldoğan
24 Prill 2023•Përditësim: 25 Prill 2023
Türkiye dënoi "terrorizmin armen" për vrasjen e shumë diplomatëve turq, raporton Anadolu.
“Ne dënojmë terrorizmin armen që vrau shumë anëtarë të ministrisë sonë bazuar në pretendime të pabaza që shtrembërojnë historinë", thuhet në një postim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Türkiyes në Twitter, ku shtohet: "Me respekt dhe mirënjohje i përkujtojmë dëshmorët tanë, mëshira e Allahut qoftë mbi ta!".
Duke shpërndarë një përmbajtje vizuale, ministria ndau edhe emrat e viktimave.
Që nga vitet 70, grupet terroriste armene kanë vrarë 31 diplomatë turq dhe anëtarë të familjeve të tyre.
Shumica dërrmuese e sulmeve u kryen nga dy grupe terroriste, e ashtuquajtura "Ushtria Sekrete Armene për Çlirimin e Armenisë" (ASALA) dhe të ashtuquajturat "Komando të Drejtësisë të Gjenocidit Armen" (JCAG).
ASALA, e themeluar në vitin 1975, ishte grupi i parë terrorist armen që zhvilloi luftë kundër Türkiyes, ndërsa JCAG u themelua në të njëjtin vit në Bejrut.
ASALA jo vetëm që shënjestroi Türkiyen, por edhe vende të tjera, ndërsa u bë famëkeqe për një sulm me bombë në vitin 1975 në zyrën e Këshillit Botëror të Kishave në Bejrut.
JCAG, e cila pretendonte se kishte mbështetje vetëm nga diaspora armene dhe jo nga partnerët e huaj, kishte në shënjestër vetëm Türkiyen sepse besonte se sulmi ndaj vendeve të tjera do të dëmtonte të ashtuquajturën "luftë armene".