Gözde Bayar
29 prill 2020•Përditësim: 29 prill 2020
Turqia aktualisht po kalon në periudhën e pikut të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), por rënia e shifrave duhet të jetë e qëndrueshme, tha ministri i Shëndetësisë i vendit, Fahrettin Koca, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Numri i pacientëve të shëruar në Turqi në 24 orët e fundit arriti dyfishin e pacientëve të sapodiagnostikuar", tha Koca në një konferencë për media pas takimit të Bordit Këshillimor Shkencor të Koronavirusit në Ankara.
Koca tha se shkalla e vdekjes nga COVID-19 në Turqi ka rënë për pacientët me intubacion nga 74 për qind në 14 për qind, kurse për pacientët në kujdes intensiv nga 58 për qind në 10 për qind.
Sa u përket rasteve me koronavirus në vend, ai tha se të paktën 7.428 punonjës të kujdesit shëndetësor janë infektuar me COVID-19, apo gati 6,5 për qind e të gjitha rasteve.
Si pjesë e përpjekjeve të vendit për të frenuar përhapjen e virusit, Turqia ka vendosur 5.849 ekipe për monitorim. Ekipet deri më tani kanë zbuluar 468.390 njerëz që kanë qenë në kontakt me virusin, tha ai.
Ai gjithashtu theksoi se Turqia ka nivelin më të ulët të vdekjeve nga koronavirusi midis vendeve evropiane, dhe se vendi renditet i 80-ti në botë.
Të martën, gjithsej 5.018 pacientë u larguan nga kujdesi mjekësor pasi u shëruan nga virusi në Turqi. Numri i vdekjeve nga koronavirus arriti në 2.992, kurse ai i rasteve të regjistruara në 114.653.