Ogün Duru
16 Tetor 2018•Përditësim: 16 Tetor 2018
ANKARA (AA) – Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se prokuroria mund të marrë dëshminë e personave që i konsideron të përshtatshëm në Konsullatën Saudite në Stamboll në lidhje me rastin e gazetarit të zhdukur Jamal Khashoggi, raporton Anadolu Agency (AA).
“Cilido diplomat i Arabisë Saudite sot mund të shkojë në vendin e vet nëse do. Nuk ka një kufizim në këtë pikë”, tha Çavuşoğlu në një konferencë të përbashkët për media me homologun nga Qipro Kudret Özersay në Ankara, pasi u pyet nëse punonjësit e konsullatës mund të kthehen nëse dëshirojnë një gjë të tillë.
Shefi i diplomacisë turke rikujtoi se dje është bërë hetim në konsullatë, ndërsa sot është duke vazhduar hetimi i rezidencës së konsullit. Sipas tij, qëllimi i Turqisë është “të mësohet fati i Khashoggit, i cili u zhduk në Konsullatën e Arabisë Saudite”.
“Në duhet ta zbardhim këtë. Është detyrë e prokurorisë së kë do të marrë në pyetje dhe kujt do t’i parashtrohen pyetje. Ata japin vendimin për hetimin. Ne nuk mund të flasim në emër të prokurorisë e të themi se ky apo ai person duhet apo nuk duhet pyetur”, tha Çavuşoğlu.
“Prokuroria mund të marrë dëshmi nga personat që i sheh të përshtatshëm. Është e rëndësishme që ky proces të vazhdojë pa pengesa. Në të njëjtën mënyrë, ky proces ka rëndësi për bashkëpunimin me Arabinë Saudite. Nga ana tjetër, ai duhet të jetë i orientuar në rezultate dhe të jetë transparent. Duhet të zbardhet në atë mënyrë që të mos ngelet asnjë pyetje tek askush”, shtoi ministri i jashtëm turk.
Gazetari dhe kolumnisti i “The Washington Post”, Jamal Khashoggi, i cili ka dhënë kontribute edhe për “Al Watan”, një platformë e rëndësishme për reformistët sauditë, u zhduk më 2 tetor pasi hyri në kompleksin e Konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll.