Besar Ademi
17 maj 2016•Përditësim: 18 maj 2016
SHKUP (AA) – Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikola Poposki, në konferencën me temë "Konflikti në Lindjen e Afërt dhe Afrikën Veriore: Rritja e kërcënimeve transnacionale për sigurinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor", deklaroi se kalimi i mbi 1 milion refugjatëve nëpër territorin e Maqedonisë në mënyrë masive dhe të paorganizuar është një efekt i drejtpërdrejtë nga Lindja e Mesme në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Në konferencën e organizuar nga Instituti për Hulumtime Gjeostrategjike dhe Politikë të Jashtme pranë Ministrisë së Jashtme në bashkëpunim me Qendrën Evropiane për studime të sigurisë “George C. Marshall”, ministri Poposki theksoi se për t’u ballafaquar me valën e refugjatëve Maqedonia vendosi të jetë pjesë e marrëveshjes së përbashkët evropiane.
“Kalimi i mbi 1 milion refugjatëve nëpër territorin e Maqedonisë në mënyrë masive dhe të paorganizuar është një efekt i drejtpërdrejtë nga Lindja e Mesme në vendin tonë. Maqedonia kishte dy mundësi, e para, të jetë vëzhgues i zakonshëm dhe të vendosë tabela sa larg kanë mbetur për në vendet perëndimore, ndërsa mundësia e dytë, e rrezikshme, e vështirë dhe e shtrenjtë, të jetë pjesë e përgjigjes së përbashkët evropiane. Evropa nuk do të ishte Evropë pa dimension njerëzor. Ne kemi zgjedhur opsionin e dytë, më të shtrenjtë dhe të vështirë, së bashku me partnerët dhe fqinjët tanë, që të jemi pjesë e një zgjidhje evropiane”, deklaroi Poposki.
Poposki shtoi se në çdo vështirësi ka mundësi, ndërsa një nga këto mundësitë, sipas tij është bashkëpunimi më i madh me vendet fqinje.
“Ne asnjëherë më parë nuk kemi pasur më shumë bashkëpunim me autoritetet greke, sikurse tani në lidhje me krizën e refugjatëve. Interes për të gjithë ne është zgjidhja evropiane. Kjo është një mundësi tjetër e jona, për të treguar sa jemi partner i rëndësishëm në lidhje me integrimin evropian. Vetëm as ne nuk mund të gjejmë zgjidhje, por as Evropa pa ne nuk mund të ketë zgjidhje më të mirë”,- theksoi Poposki.
Pjesëmarrësit folën për tema dhe çështje lidhur me konfliktin në Lindjen e Afërt dhe Afrikën Veriore, si dhe për rritjen e kërcënimeve transnacionale për sigurinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, si radikalizmi i të rinjve, mundësia për infiltrim të pjesëtarëve të organizatave terroriste nëpër "rrugën e refugjatëve", si dhe numrin e rritur të të kthyerve nga rajonet e krizës.