ANKARA (AA) - Në marrëdhëniet të cilat Turqia i ka pasur me Izraelin që nga viti 1949 e deri më tani, Ankara zyrtare ishte këmbëngulëse në respektimin e të drejtave njerëzore, të drejtave rajonale dhe të drejtës së shteteve për sovranitet. Rëniet dhe ngritjet në marrëdhëniet mes dy shteteve në masë të madhe buruan nga aktivitetet e Izraelit kundrejt Palestinës.
Turqia e njohi shtetin e Izraelit, i cili u shpall më 14 maj të vitit 1948, më 28 mars 1949. Turqia, e cila ishte një nga shtetet e para që e njohën qeverinë e Tel Avivit, marrëdhëniet i ndërtoi mbi themelet e interesit të përbashkët, të drejtat njerëzore dhe respektimin e së drejtës për sovranitet.
Aktivitetet diplomatike të Turqisë në Izrael filluan me dërgimin e shefit të parë të misionit në zyrën përfaqësuese në Tel Aviv e cila u hap në cilësi të ambasadës më 7 janar 1950.
Shqetësimi të cilin Izraeli e kishte nga Pakti i Bagdadit, pakt ky që u formua në vitin 1955 mes Turqisë, Irakut, Iranit, Pakistanit dhe Anglisë, reflektoi negativisht në linjën Tel Aviv-Ankara. Me nacionalizimin e Kanalit të Suezit nga ana e Egjiptit, Izraeli zhvilloi takime të fshehta me Anglinë dhe Francën, shtete këto të cilat kishin pjesë në kanal, ndërkohë që Turqia protestoi kundër dërgimit të ushtarëve nga ana e Izraelit në territorin e Egjiptit më 29 tetor 1956. Më 26 nëntor 1956, marrëdhëniet ranë në nivel marrëdhëniesh mes të ngarkuarve me punë në zyrat e diplomacisë (charge d'affaires). U desh të kalonin shtatë vite për rikthimin në gjendjen e mëparshme.
Në Luftën Gjashtëditore e cila filloi me sulmin e papritur të Izraelit në Egjipt në vitin 1967 dhe pushtimin e Jerusalemit Lindor, Bregut Perëndimor, Gadishullit Sina dhe Lartësirave të Golanit në Siri, Turqia mori anën e shteteve arabe dhe kërkoi që Izraeli të tërhiqet nga vendet e pushtuara, përfshirë edhe Golanin dhe Jerusalemin.
Në vitet 70-të, në marrëdhëniet dypalëshe mbizotëroi atmosferë e ftohtë. Pas incidentit të zjarrvënies në Mesxhd-i Aksa në vitin 1969, mbështetja nga Turqia e projekt-rezolutës në Këshillin e Sigurisë në vitin 1975 që parashihte se “Cionizmi është lloj racizmi” dhe njohja e Ushtrisë Çlirimtare Palestineze ngjallën reagimin e Izraelit.
Marrëdhëniet dypalëshe pësuan ngritje në nivel ambasadorësh më 1 janar 1980. Kur më 30 korrik 1980 Izraeli e aneksoi Jerusalemin Lindor dhe e shpalli Jerusalemin si kryeqytet të përhershëm, Turqia e mbylli Konsullatën në Jerusalem dhe e solli nivelin e përfaqësimit në Tel Aviv në pikën më të ulët. Marrëdhëniet të cilat u ngritën në nivel të të ngarkuarve diplomatik në vitin 1986, me fillimin e Intifada-s Palestineze një vit më vonë dhe njohjen e pavarësisë së Shtetit Palestinez nga Turqia, pavarësi e cila u shpall më 15 nëntor 1988, hynë në një periudhë stagnimi.
- Rigjallërim në marrëdhënie
Në vitin 1989, Turqia e filloi procesin e zbutjes së marrëdhënieve kur në vitin 1989 votoi kundër projekt-rezolutës për ndalimin e përfaqësimit të Izraelit në OKB.
Në ndërkohë, me Procesin e Paqes në Lindjen e Mesme që filloi me Konferencën e Madridit, tensionet arabo-izraelite pësuan trend uljeje. Më 1991, Palestina dhe Izraeli i ngritën përfaqësuesit e tyre në Ankara në nivel të ambasadorëve. Pas kësaj, pasoi fillimi i aktiviteteve të konsullatës së përgjithshme të Turqisë në Jerusalem.
Më 1994, palët nënshkruan marrëveshje për siguri, ndërsa në vitin 1996 marrëveshje për bashkëpunim dhe trajnim në fushën ushtarake. Pas marrëveshjes për bashkëpunim industrial dhe treg të lirë, flotat e Turqisë, Izraelit dhe SHBA-ve realizuan manovër të përbashkët ushtarake në Mesdhe.

- Qëndrimi anti-paqësor i Sharonit
Marrëdhëniet Turqi-Izrael të cilat u shënuan përparim në vitet 90-të si efekt edhe i atmosferës që vinte nga procesi i paqes në Lindjen e Mesme, u prishën për shkak të radikalizmit anti-paqësor të kryeministrit të atëhershëm, Ariel Sharon. Sharon, i cili në vitin 2000 realizoi vizitë provokative në Mesxhid-i Aksa, u bë shkak i Intifadas së Dytë. Ndjekja e politikave tejet të rrepta nga Sharon kundrejt palestinezëve, shkaktoi prishjen e marrëdhënieve edhe me Turqinë.
Pas pesë viteve u hodhën hapa në drejtim të përmirësimit të marrëdhënieve. Ministri i jashtëm i asaj kohe Abdullah Gul dhe presidenti Erdogan e vizituan Izraelin dhe Palestinën në interval pas katër muajsh.
Sulmi të cilin Izraeli e ndërmori ndaj Libanit më 12 korrik 2006 dhe Rripit të Gazës më 27 dhjetor 2008, rezultuan me reagime të mëdha të Turqisë.
Në njërën nga seancat e Forumit Ekonomik Botëror që u organizuan në fillim të vitit 2009 në Davos, kryeministri i atëhershëm turk Erdogan shfaqi reagimin ndaj fjalëve të presidentit të Izraelit Shimon Peres të cilat i ligjësonin sulmet në Gaza dhe sjelljes së tij që i shkelte kufijtë diplomatikë. Reagimi i Erdoganit që në opinionin ndërkombëtar u njoh si “one minute”, ngjalli zëra në tërë botën, me në krye opinionin arab. Erdogan Peresit iu kundërpërgjigj me fjalët: “Duhet të jetë ndjenjë e fajësisë fakti i ngritjes së zërit tuaj më lart se i imi. E nëse flasim për vrasje, ju dini shumë mirë të vrisni. E di shumë mirë se si i vrani dhe i godisni fëmijët nëpër plazhe.” Ndërkaq, braktisja e seancës nga Erdogan me fjalët “Davosi përfundoi për mua”, ngeli temë diskutimi për një kohë të gjatë.
Thirrja e ambasadorit të Turqisë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Izraelit me arsyetimin se në disa filma serikë që u shfaqën në Turqi në pranverën e vitit 2009 dhe në fillim të vitit 2010 ishte shfaqur armiqësi ndaj Izraelit dhe sjellja e vrazhdë ndaj ambasadorit me uljen e tij në një karrige poshtëruese, shkaktoi ngritjen e sërishme të tensioneve mes dy shteteve.
- Pika thyese, sulmi izraelit në Mavi Marmara
Masakra ndaj Mavi Marmarasë që ndodhi më 31 maj 2010 ishte pika më thyese në marrëdhëniet mes dy shteteve. Izraeli ndërhyri në konvojën e dërguar për thyerjen e bllokadës në Gaza në ujërat ndërkombëtarë. Në anije jetën humbën nëntë shtetas të Turqisë. Ndërkaq, një shtetas i cili u plagos humbi jetën më vonë.
Ndërsa Turqia e tërhoqi ambasadorin nga Tel Avivi, ajo kërkoi që Izraeli menjëherë të kërkojë falje, t’u paguajë kompensim familjeve të viktimave dhe ta largojë bllokadën në Gaza.
Meqenëse Izraeli nuk hodhi asnjë hap, Turqia uli marrëdhëniet në nivelin më të ulët. Përfaqësuesit diplomatikë u ulën në nivel të të ngarkuarve në zyrat e ambasadave, ndërkohë që i pezulloi të gjitha marrëveshjet ushtarake.
- Procesi i normalizimit
Kryeministri i Izraelit Netanyahu më 22 mars 2013 e thirri për bisedë telefonike kryeministrin e atëhershëm të Turqisë Recep Tayyip Erdogan. Në emër të popullit të Izraelit, ai kërkoi falje nga populli i Turqisë për jetët e humbura dhe plagosjet në masakrën e Mavi Marmarasë. Erdogan e pranoi kërkimfaljen në emër të popullit turk.
Kryeministri Binali Yildirim njoftoi se dje në Romë palët kanë finalizuar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Turqisë dhe Izraelit. Yildirim shpalosi se janë pranuar të gjitha kushtet e Turqisë, ndërkohë që sipas të dhënave që i shpalosi, pas miratimit të marrëveshjes nga kabineti izraelit dhe Kuvendi i Madh Popullor Turk (TBMM), do të caktohen ambasadorë në mënyrë reciproke.
Izraeli, familjeve të të rënëve të Mavi Marmarasë do t’u paguajë kompensim prej gjithsej 20 milionë dollarësh. Për banorët e Gazës me shpejtësi do të realizohet çdo punim i nevojshëm për nevojat për rrymë elektrike dhe ujë. Në kuadër të marrëveshjes, krahas ndihmave humanitare, Turqia do të sigurojë edhe hyrjen e materialeve për qëllime civile në Gaza dhe do t’i zhvillojë investimet në infrastrukturë, me çka në Gaza do të ndërtohen banesa për popullin e Gazës dhe në kohë shumë të shkurtër do të fillojë me shërbime Spitali i Miqësisë Turqi-Palestinë me 200 shtretër. Ndihma e parë humanitare e Turqisë do të arrijë te banorët e Gazës përmes anijes që do të niset ditën e premte nga porti i qytetit të Mersinit.
news_share_descriptionsubscription_contact


