Servet Günerigök
27 Qershor 2016•Përditësim: 27 Qershor 2016
ANKARA (AA) - Turqia sot ka paralajmëruar normalizimin e marrëdhënieve me Rusinë, tetë muaj pas rrëzimit të avionit ushtarak rus që kishte shkelur hapësirën ajrore turke, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një konferencë për mediat pas takimit të qeverisë, zv/kryeministri turk dhe zëdhënësi i qeverisë Numan Kurtulmus tha se "zhbllokimi i marrëdhënieve" mes dy vendeve erdhi pas letrave të fundit drejtuar udhëheqjes ruse nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministrit Binali Yildirim.
"Dua të them se disa kompani turke që operojnë në Rusi përsëri kanë marrë leje për të vepruar, që është një tregues i normalizimit të marrëdhënieve me Rusinë", tha Kurtulmus.
Pasi në nëntor të 2015 në hapësirën ajrore turke ishte rrëzuar aeroplani rus për shkelje të hapësirës ajrore, Kremlini pati vendosur sanksione ndaj produkteve ushqimore, hoqi regjimin pa viza duke ndaluar edhe turistët rusë që të udhëtojnë për pushime në Turqi.
Paralajmërimet për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve erdhën pasi zyrtarët turq njoftuan sot normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin, pas gjashtë vjetësh, apo nga maji i vitit 2010, kur Izraeli sulmoi anijen humanitare turke "Mavi Marmara".
Rreth përpjekjeve të Turqisë për të marrë liberalizimin e vizave me vendet e zonës Shengen, Kurtulmus tha se Turqia ka përmbushur të gjitha obligimet dhe ka treguar "qëllimin e sinqertë" që të përmbush edhe pesë kërkesat e mbetura.
Ai gjithashtu theksoi se Turqia është përballur me humbje si pasojë e hyrjes në Unionin Doganor, si anëtare jo e plotfuqishme e Bashkimit Evropian.