Talha Öztürk,Zlatan Kapiç
20 tetor 2015•Përditësim: 20 tetor 2015
BEOGRAD (AA) - Turqia, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia duhet të kenë marrëveshjet më liberale, më të mira të mundshme për tregti të lirë në mënyrë që në një kohë sa më të shkurtër të japin rezultatet e bashkëpunimit më të mirë ekonomik mes tyre dhe të përfitojnë nga të gjitha burimet, tha në një intervistë për Anadolu Agency (AA), Ministri i Ekonomisë së Republikës së Turqisë, Nihat Zeybekci.
Ministri Zeybekci rikujtoi se Turqia, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia në vitin 2013 filluan një iniciativë të përbashkët, e cila në gusht të këtij viti ka marrë një formë tjetër, kur ishte mbajtur takimi i parë i komitetit ekonomik trepalësh Turqi-Serbi-BeH.
"Turqia me Serbinë dhe me BeH-në ka marrëveshje të tregtisë së lirë, por ne nuk po arrijmë që t'i shfrytëzojmë në mënyrën e duhur. Kemi qëllim të përbashkët, që të arrijmë shkëmbim sa më të madh tregtar me këto dy vende, që t'i shfrytëzojmë këto marrëveshje dhe kushte për të mirën tonë të përbashkët. Kemi nënshkruar një program afatmesëm ekonomik të bashkëpunimit trepalësh dhe planin e veprimit, kurse në Sarajevë do të zbatojmë hapin e parë që rezulton nga dokumenti, forumi i Biznesit. Megjithatë, puna e vërtetë fillon pas kësaj", tha Zeybekci.
Sipas tij, përfaqësuesit e tre vendeve duhet që sa më shpejt të jetë e mundur të përmirësojnë marrëveshjet e ndërsjella të tregtisë së lirë. "Turqia, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia duhet të kenë marrëveshjet më liberale, më të mira të mundshme për tregti të lirë dhe bashkëpunimin ekonomik. Serbia dhe BeH janë partnerë shumë të rëndësishëm për Turqinë. Bëhet fjalë për vende me kapacitete të mëdha në fushat e bujqësisë, energjetikës dhe turizmit. Mundësia për forcimin e bashkëpunimit qëndron në sektori bankar", tha ministri turk.
Pas kësaj, siç tha Zeybekci, pasojnë takimet intensive mes biznesmenëve, përfaqësues të sektorëve të njëjtë nga të tre vendet.
"Rezultatet e para i presim në vitin 2016," shtoi Ministri i Ekonomisë së Republikës së Turqisë dhe vuri në dukje mundësinë e bashkëpunimit në sektorin e energjisë dhe industritë përcjellëse.
Duke folur për sulmet e shpeshta terroriste në Turqi, të cilat u intensifikuan në prag të përsëritjes së zgjedhjeve të përgjithshme të planifikuara për 1 nëntor, ai tha se bëhet fjalë për sulme të planifikuara në zemër të vendit.
"Turqia në vitin 2013 kishte paguar tërë borxhin e saj Fondit Monetar Ndërkombëtar, ka filluar ndërtimin e aeroportit më të madhe në botë, ka filluar projekte të rangut botëror. Dhe përsëriten ndodhitë e viteve tetëdhjetë, vitet e më hershme, kur intensifikoheshin sulmet, në shënjestër të të cilave ishte shteti, qytetarët, dhe sistemi i zhvillimit", tha Zeybekci.
Ai beson se një nga arsyet e sulmeve "të sjellin Turqinë në atë gjendje që të kujdeset vetëm për veten, për të minimizuar bashkëpunimin me vendet e Ballkanit Perëndimor, me Bosnjën, me Serbinë, të merret me veten e saj dhe të mos i mbetet hapësirë, kohë apo energji për çështjen e Sirisë, Lindjes së Mesme, me rajonet me të cilat ka lidhje historike dhe të tjera".
"Por ilaçi për sherrin e terrorizmit është vetëm një: Uniteti. Bashkimi i turqve, kurdëve, muslimanëve, krishterëve dhe të gjithëve", shtoi Zeybekci.
Përkundër të gjitha goditjeve në stabilitetin e saj, konsideron Zeybekci, Turqia vazhdon me rritjen ekonomike. Shembull i kësaj është hapja e shtatë milionë vendeve të punës, që nga viti 2008, duke e bërë Turqinë liderë në botë.
"Evropianët me vite kanë luftuar mes tyre për t'ja marrë njëri-tjetrit resurset e ndryshme, ata e kuptuan gabimin dhe u bashkuan 50 vjet më parë. Pse pra edhe ne të gjithë të mos i bashkojmë resurset, për këtë arsye partnerët e Ballkanit Perëndimor janë shumë të rëndësishëm për ne, sepse Turqia në një farë mënyre është urë për këtë pjesë të Evropës, rrugë dy drejtimëshe, rrugë e hapur për çfarëdo bashkëpunimi", deklaroi për AA Zeybekci.