Nuran Erkul Kaya
04 Prill 2023•Përditësim: 04 Prill 2023
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) paralajmëroi të hënën se shkurtimet e reja të OPEC+ rrezikojnë të tensionojnë tregun edhe ashtu të rënduar të naftës dhe të rrisin çmimet mes presioneve të larta inflacioniste që dëmtojnë konsumatorët e cenueshëm në mbarë botën, raporton Anadolu.
Paralajmërimi i IEA-së vjen pas vendimit të disa vendeve të OPEC+ për të shkurtuar më tej prodhimin me rreth 1.6 milionë fuçi në ditë (bpd).
Arabia Saudite kryesoi me 500 mijë bpd shkurtime të dielën, e ndjekur nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) me 144 mijë bpd, Kuvajti me 128 mijë bpd, Iraku me 211 mijë bpd, Omani me 40 mijë bpd, Algjeria me 48 mijë bpd dhe Kazakistani me 78 mijë bpd.
Rusia iu bashkua vendeve që do të shtonte shkurtimet aktuale prej 500 mijë fuçi në ditë të prodhimit deri në fund të këtij viti.
"Reduktimet e reja të rëndësishme në prodhimin e naftës të paralajmëruara nga vendet e OPEC+ vijnë gjatë një periudhe pasigurie të shtuar për tregjet globale të naftës dhe shqetësimeve rreth perspektivës për ekonominë botërore", thuhet në deklaratën e IEA-së.
Parashikimet e IEA-së dhe institucioneve tjera përkatëse, që përfaqësojnë konsumatorët dhe prodhuesit, të gjitha këto tregojnë se tregjet globale të naftës tashmë ishin përcaktuar për një shtrëngim në gjysmën e dytë të 2023, me potencialin për të shfaqur një deficit të konsiderueshëm të ofertës.
Shkurtimet e reja të OPEC+ rrezikojnë të përkeqësojnë këto tendosje dhe të rrisin çmimet e naftës, tha IEA, duke theksuar se konsumatorët e cenueshëm në mbarë botën dhe veçanërisht në ekonomitë në rritje dhe në zhvillim janë tashmë nën presione të forta inflacioniste.