Gökhan Ergöçün
16 Tetor 2020•Përditësim: 16 Tetor 2020
Kërkesa për makina pasagjerësh në BE regjistroi rritjen e parë të vitit 2020 në shtator, duke treguar një rimëkëmbje të lehtë në periudhën pandemike, sipas raportit të Shoqatës Evropiane të Prodhuesve të Automjeteve (ACEA), transmeton Anadolu Agency (AA).
Tregu i makinave të pasagjerëve në BE shënoi një rritje prej 3,1 për qind në shtator në baza vjetore, ndërsa u tkurr me 28,8 për qind në nëntë muajt e parë të vitit 2020, bëri të ditur ACEA.
Pandemia ka prekur një numër aktivitetesh ekonomike në gjithë botën.
Shoqata tha se regjistrimet e reja të makinave të pasagjerëve në bllokun prej 27 anëtarësh arritën në gati 933.987 në shtator dhe 7,05 milionë në periudhën nëntëmujore.
Në shtator, midis tregjeve kryesore që shënuan rritje ishin Italia (9,5 për qind) dhe Gjermania (8,4 për qind), ndërsa rënie shënuan Spanja (minus 13,5 për qind) dhe Franca (minus 3 për qind).
Në periudhën nëntëmujore, të gjitha tregjet kryesore shënuan rënie midis minus 25,5 për qind dhe minus 38,3 për qind, ndërsa gjendja më e keqe u regjistrua në Spanjë.
Grupi VW (Volkswagen, Audi, Skoda, Seat dhe Porsche), Grupi PSA (Peugeot, Citroen dhe Opel) dhe Grupi Renault (Renault, Dacia, Lada dhe Alpin) ishin markat kryesore në tregun e makinave të pasagjerëve, si në shtator, ashtu edhe në periudhën nëntëmujore.
Vitin e kaluar, mbi 15,3 milionë vetura të reja të pasagjerëve u regjistruan në BE.
BE-ja është tregu kryesor i eksportit të automjeteve për Turqinë, ku operojnë prodhuesit kryesorë ndërkombëtarë të automjeteve si Ford, Honda, Hyundai, Mercedes, Renault dhe Toyota.