Ekip
16 Tetor 2020•Përditësim: 16 Tetor 2020
Tashmë e ngujuar nën ndikimin e rënies së çmimeve të naftës në tregun global dhe të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), tani edhe çështjet gjeologjike po pengojnë Sudanin e Jugut në mbajtjen e një prodhimi optimal të naftës.
Sudani i Jugut, vendi më i ri në botë, është i varur nga të ardhurat e naftës, fushë e cila përbën 98 për qind të buxhetit të tij.
Nënsekretari i Ministrisë së Naftës së Sudanit të Jugut, Awow Daniel Chuang, në një intervistë për Anadolu Agency (AA) konfirmoi se prodhimi i naftës është reduktuar në 165 mijë fuçi në ditë.
"Nëse presim rritje, ajo nuk do të jetë më shumë se 5 ose 10 për qind. Për shkak të sfidave gjeologjike, nuk është e lehtë për ne të kthehemi si më parë, në 300 mijë fuçi në ditë. Ne e kuptojmë se ka një rënie natyrore dhe rezerva e naftës është e kufizuar", tha Chuang.
Pas përçarjes 5-vjeçare të shkaktuar nga lufta civile, vendi ka pritje për të rritur prodhimin e naftës së papërpunuar në 350 mijë fuçi në ditë, si në nivelin para luftës. Sudani i Jugut doli nga vitet e luftës civile pasi presidenti Salva Kiir në shtator të vitit 2018 arriti një marrëveshje të paqes me rivalin e tij politik, Riek Machar.
Nënsekretari Chuang tha se përveç faktorëve të tjerë, ekstraktimi po përballet edhe me sfida gjeologjike, sepse shumë fusha të naftës prodhojnë më shumë ujë sesa naftë. Ai tha se vendi i tij po planifikon të sigurojë teknologjinë e duhur për të parë nëse mund të nxirret më shumë naftë.
"Prodhimi ynë në Dar është reduktuar në 115 mijë deri në 118 mijë fuçi në ditë, pastaj në tre blloqe të GPOC-it është rreth 50 mijë fuçi në ditë, që çon deri në rreth 165 mijë fuçi në ditë në gjithë vendin", tha ai.
Përveç pandemisë COVID-19, përmbytjet në shumë pjesë të vendit kanë prekur edhe fushat e naftës.
"Zakonisht, këto përmbytje të ndikojnë në prodhim, sepse në momentet kur fushat e naftës përmbyten, disa puse mbulohen me ujë, gjë që ndikon në prodhimin e naftës. Nuk është e mundur të kesh qasje në ato puse kur ka ujë", shpjegoi Chuang.
Auditimi mjedisor
Më tej, Chuang tha se vendi i tij po punon për të kryer një auditim mjedisor dhe se ka ftuar disa kompani të huaja të cilat do të shfaqen këtë javë.
"Ata do të vijnë dhe do të bëjnë oferta dhe pastaj ne do të zgjedhim më të mirën. Këto janë kompani ndërkombëtare që do të bëjnë auditimin mjedisor. Ne duhet të pranojmë kompaninë e duhur në mënyrë që të rikthejmë mjedisin në statusin e tij fillestar", tha zyrtari i lartë i Ministrisë së Naftës.
Ai theksoi se Sudani i Jugut ka ende shpresë për të rimbushur rezervat e naftës dhe për të filluar prodhimin në 14 blloqe të tjera.
"Ne kemi rreth 14 blloqe, përveç zonave ku po prodhojmë. Jemi duke punuar çdo ditë për të mbledhur të dhëna dhe pastaj të bëjmë hartëzimin, që do të na ndihmojë të hapim raundet e licencimit. Raundi i licencimit është të ftojmë ofertues dhe lojtarë të ri në Sudanin e Jugut në mënyrë që të mund të eksplorojmë naftë në zona të tjera. Ka një potencial shumë të madh për të zbuluar më shumë naftë në zona të tjera të Sudanit të Jugut", deklaroi Chuang.