Michael Gabriel Hernandez
22 Mars 2022•Përditësim: 23 Mars 2022
Dmitry Peskov, zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin, refuzoi në mënyrë të përsëritur të përjashtonte përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore, duke thënë se ato mund të konsiderohen si një përgjigje ndaj një "kërcënimi ekzistencial" të supozuar, transmeton Anadolu Agency (AA).
I pyetur se në çfarë kushtesh do të ishte i nevojshëm një reagim i tillë, Peskov tha se "nëse është një kërcënim ekzistencial për vendin tonë, atëherë mund të ndodhë". Ai nuk dha më shumë detaje gjatë një interviste me Christiane Amanpour në CNN International.
Peskov pranoi se Putini ende nuk i ka arritur qëllimet e tij në Ukrainë një muaj pas pushtimit, por tha se lufta ruse "po vazhdon në mënyrë rigoroze në përputhje me planet dhe qëllimet që ishin vendosur më parë".
Komentet vijnë disa orë pasi një zyrtar i lartë i Pentagonit tha se Rusia ka humbur më shumë se 10 për qind të forcave që dërgoi në Ukrainë.
Zyrtari, i cili foli me gazetarët në kushte anonimiteti, tha se Moska tani ka "më pak" se 90 për qind të forcave që grumbulloi në Bjellorusi dhe në Rusinë perëndimore përpara operacionit të saj ushtarak që filloi më 24 shkurt.
Dje, një tabloid pro-rus raportoi ato një lajm në të cilin thuhej që pasqyroheshin të dhëna të Ministrisë ruse të Mbrojtjes, ku thuhej se 9.861 rusë janë vrarë dhe 16.153 janë plagosur gjatë luftës. Raporti nga "Komsomolskaya Pravda" u hoq shpejt.
Ministria ruse e Mbrojtjes nuk e ka treguar publikisht numrin e viktimave që Rusia ka pësuar që nga fillimi i marsit, kur tha se 498 ushtarë kishin vdekur.
Sipas vlerësimeve të OKB-së, të paktën 953 civilë janë vrarë dhe mbi 1.550 të tjerë janë plagosur në Ukrainë që kur Rusia filloi sulmin e saj. Megjithatë, OKB-ja ka paralajmëruar se numri i vërtetë i viktimave mund të jetë shumë më i lartë për shkak se nuk ka qasje në zonat e konflikteve.
Sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët, lufta ka dëbuar 10 milionë njerëz nga shtëpitë e tyre, qoftë brenda vendit ose si refugjatë që ikën jashtë vendit.