Beyza Binnur Dönmez
20 Qershor 2019•Përditësim: 20 Qershor 2019
Zyrtarja më e lartë për të drejtat e njeriut e OKB-së, Michelle Bachelet, do të takohet me presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro dhe udhëheqësin e opozitës, Juan Guaido, për të diskutuar mbi krizën e vazhdueshme politike dhe humanitare në Venezuelë, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Në vizitën time të parë në Venezuelë, si Komisionere e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, pres të dëgjoj të gjitha zërat dhe të punoj me të gjithë aktorët për të promovuar dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut të të gjithë venezuelasve”, shkroi Bachelet në llogarinë e saj në Twitter.
Bachelet mbërriti në Venezuelë dje me ftesë të presidentit Maduro dhe pritet të takohet me udhëheqës të qeverisë dhe opozitës, ndërsa gjatë ditës së nesërme dhe të fundit të vizitës së saj në Venezuelë ajo pritet të adresohet në një konferencë për media.
Ekonomia e Venezuelës ka shënuar një rënie të shpejtë pas një rënieje globale të çmimit të naftës së papërpunuar, që është eskporti kryesor i vendit. Që nga 10 janari, një trazirë politike po vazhdon midis presidentit të zgjedhur të Venezuelës dhe kreut të opozitës.
Sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatë (UNHCR), rreth 5.000 persona braktisin Venezuelën çdo ditë për shkak të “paqëndrueshmërisë dhe pasigurisë” mes një krize mbi udhëheqjen e vendit dhe ekonominë, ndërsa nga viti 2015 veçse 3 milionë venezuelas janë larguar nga vendi.