Berad Büyük
24 Mars 2020•Përditësim: 24 Mars 2020
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON) dhe qeveria japoneze ranë dakord të shtyjnë Lojërat Olimpike - Tokio 2020 për një vit, pasi bota është kapluar nga ndikimi i koronavirusit të ri (COVID-19), njoftoi komiteti përmes një deklarate, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Në rrethanat e tanishme dhe bazuar në informacionet e mara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) sot, Presidenti i KON dhe Kryeministri i Japonisë kanë arritur në përfundimin se Lojërat Olimpike XXXII në Tokio duhet të shtyhen në një datë pas vitit 2020 por jo më vonë se vera e vitit 2021", thuhet në deklaratë.
KON shtoi gjithashtu se flaka Olimpike do të qëndrojë në Japoni dhe lojërat do të quhen si "Lojërat Olimpike dhe Paralimpike Tokio 2020".
Virusi i njohur si COVID-19 që u shfaq në Wuhan të Kinës dhjetorin e kaluar, është përhapur në të paktën 169 vende dhe rajone në mbarë globin. OBSH e ka shpallur shpërthimin një pandemi.
Sipas të dhënave të përpiluara nga Universiteti Johns Hopkins me bazë në SHBA, numri i rasteve të konfirmuara në të gjithë botën aktualisht ka arritur në mbi 392.500, me një numër vdekjesh që tejkalon 17.000.
Deri më tani, afro 103.000 njerëz të diagnostikuar me COVID-19 janë shëruar nga sëmundja.