Bota, Koronavirusi

Numri i vdekjeve nga koronavirusi në Kinë rritet në 1.380

Zyrtarët kinezë të shëndetësisë thanë se ditën e enjte u raportuan 121 vdekje dhe 5.090 raste të reja të infeksionit nga koronavirusi i ri

Rıyaz Khalıq  | 14.02.2020 - Përdıtësım : 26.02.2020
Numri i vdekjeve nga koronavirusi në Kinë rritet në 1.380

Ankara

Numri i vdekjeve në Kinë nga koronavirusi i ri, zyrtarisht i njohur si COVID-19, ka arritur në 1.380, ndërsa numri i konfirmuar i të prekurve nga ky virus vdekjeprurës ka arritur në 63.851, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç raportojnë mediat lokale, zyrtarët kinezë të shëndetësisë thanë se ditën e enjte u raportuan 121 vdekje dhe 5.090 raste të reja të infeksionit nga koronavirusi i ri.

Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë në Kinë tha se shumica e vdekjeve u raportuan në provincën Hubei, ku në muajin dhjetor u shfaq për herë të parë sëmundja, më saktësisht në kryeqytetin e provincës, në Wuhan.

Thuhet se 10.204 pacientë janë në gjendje të rëndë, ndërsa 6.723 pacientë janë shëruar pas trajtimit.

Nga ky virus po ashtu u raportuan dy vdekje jashtë Kinës, një në Filipine dhe një në Japoni. Një person tjetër në rajonin autonom të Kinës, në Hong Kong, po ashtu humbi jetën.

Gjithsej 505 raste të virusit COVID-19 janë raportuar në të gjithë globin, pasi virusi u përhap në mbi 20 vende, përfshirë SHBA-të, Mbretërinë e Bashkuar, Australinë dhe Kanadanë.

Dy spitale të reja po ashtu janë ndërtuar në Kinë në një kohë rekord prej 10 ditësh për të trajtuar pacientët.

Thuhet se virusi është transmetuar tek njerëzit nga kafshët, veçanërisht nga lakuriqët.

Shumë vende, përfshirë Turqinë, kanë evakuuar qytetarët e tyre nga zonat e prekura të Kinës, duke i vendosur ata në një kujdes mjekësor të izoluar.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e këtij virusi e ka shpallur emergjencë ndërkombëtare shëndetësore.

Dy spitale me 2.500 shtretër në Wuhan

Kinezët ndërtuan dy spitale në Wuhan me një kapacitet të kombinuar me 2.500 shtretër. Ndërtimi i njërit prej tyre, spitalit Huoshenshan, u përfundua vetëm për dhjetë ditë.

Ekipet mjekësore po kryejnë vizita derë më derë për t'u siguruar se asnjë pacient të mos mbetet pa mbikëqyrje. Sipas autoriteteve kineze, të paktën 11 spitale të lëvizshëm (mobile hospital) janë duke punuar për të trajtuar pacientët që testohen pozitiv me virusin, por që nuk tregojnë simptoma të rëna.

Stafi mjekësor qeth flokët për të shmangur përhapjen e virusit

Për të trajtuar pacientët, Pekini ka nxitur në provincën Hubei një staf mjekësor të përbërë prej të paktën 11 mijë personave, përveç personelit të forcave të armatosura të cilët tashmë janë aktiv në këtë zonë.

Shumë staf mjekësor femra që punojnë në Wuhan kanë qethur flokët e tyre për të shmangur infeksionin dhe për të fituar kohë kur veshin dhe heqin kostumet mbrojtëse.

Një laborator i posaçëm po ashtu u ngrit në Wuhan për të kryer 10 mijë teste të infeksionit çdo ditë, me qëllim për të përshpejtuar diagnozat

Mjeku japonez testohet pozitiv

Një kirurg në të pesëdhjetat e tij është bërë mjeku i parë në Japoni i infektuar me virusin COVID-19.

Rasti u zbulua në Japoninë perëndimore. Më 31 janar, mjeku kishte simptoma të etheve dhe lodhjes dhe më 8 shkurt u diagnostifikua me pneumoni, ndërsa dy ditë më vonë u shtrua në spital.

Një burrë në të shtatëdhjetat e tij, i cili ishte trajtuar në të njëjtin spital ku punonte mjeku, u konfirmua se ishte infektuar me të njëjtin virus.

Burri u diagnostikua me pneumeni të rëndë dhe është zhvendosur në një institucion tjetër mjekësor.

Gati 250 të tjerë në Japoni janë prekur nga koronavirusi i ri.

Shumica e njerëzve të prekur në këtë vend nga ky virus vdekjeprurës janë në anijen "Diamond Princess", e cila është vendosur në karantinë në provincën japoneze Yokohama, në jug të kryeqytetit Tokio.

Në këtë anije ndodhen rreth 3.700 persona, përfshirë edhe ekuipazhin, nga 56 vende dhe rajone të ndryshme, ndër të cilët edhe tre shtetas nga Maqedonia e Veriut. Njëri nga tre shtetasit e Maqedonisë së Veriut në këtë anije është konfirmuar se është i infektuar me koronavirus.

Ndërkohë, autoritetet në Korenë e Jugut sot thanë se nuk ka raste të reja të raportuara të virusit fatal në vend.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.