Bota

Zelenskyy: Dokumenti mbi garancitë e sigurisë me SHBA-në është gati

Presidenti ukrainas tha se marrëveshja duhet të nënshkruhet, "por kjo do të ndodhë vetëm pasi lufta të ndalet"

Elena Teslova  | 22.01.2026 - Përdıtësım : 22.01.2026
Zelenskyy: Dokumenti mbi garancitë e sigurisë me SHBA-në është gati Foto: Nuran Erkul Kaya/AA

Moskë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, tha se Kievi dhe Washingtoni kanë arritur një marrëveshje për garancitë e sigurisë për Ukrainën në rast të një armëpushimi me Rusinë, por ajo ende nuk është nënshkruar, raporton Anadolu.

Zelenskyy i bëri këto deklarata në një konferencë për shtyp pas një takimi njëorësh me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos.

“Kur sot zhvilluam një bisedë me ekipin amerikan… dhe me presidentin amerikan, të gjithë thamë se garancitë e sigurisë janë gati, pra dokumenti është gati dhe duhet ta nënshkruajmë”, tha ai.

“Por kjo do të ndodhë vetëm pasi lufta të ndalet”, shtoi Zelenskyy.

Ndërsa marrëveshja për garancitë e sigurisë është përfunduar, çështjet territoriale ende nuk janë zgjidhur, tha Zelenskyy, duke i bërë thirrje Rusisë të tregojë gatishmëri për kompromis.

“Po flasim për një çështje, e cila është më e vështira dhe ende nuk është zgjidhur, dhe mendoj se takimet trepalëshe do të tregojnë çdo variant”, tha Zelenskyy.

Më herët, presidenti Trump u tha pjesëmarrësve se një zgjidhje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë “po vjen shumë shpejt”, ndërsa zyrtarisht prezantoi propozimin e tij për “Bordin e Paqes” së bashku me liderë të tjerë botërorë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın