Hamdi Yıldız
15 gusht 2020•Përditësim: 15 gusht 2020
Ministri i Jashtëm i Iranit, Javad Zarif ka deklaruar se "Anijet e huaja luftarake në brigjet e Bejrutit kërcënojnë libanezët", transmeton Anadolu Agency (AA).
Gjatë vizitës së tij në Bejrut në një intervistë për një televizion lokal, Zarif tha se "Do të krijohet frikë lidhur me të ardhmen e vendit nëse populli i Libanit lejon përhapjen e mosmarrëveshjeve të atyre që nuk duan të mirën e Libanit".
Duke u dhënë siguri zyrtarëve libanezë, Zarif tha se Irani është i gatshëm të ndihmojë dhe jo t'i imponojë ndonjë gjë Libanit.
Anijet luftarake në brigjet e Libanit nuk janë normale, tha Zarif duke shtuar se "Anijet luftarake në brigjet e Libanit kërcënojnë libanezët dhe rezistencën".
Zarif ka përmendur shpërthimin në portin e Bejrutit dhe ka shtuar se hetimi lidhur me këtë fatkeqësi duhet të bëhet nga Libani dhe se këtë duhet ta zhvillojë qeveria e Libanit.
Ushtria e Libanit në një deklaratë me shkrim dje njoftoi se anija për helikopterë PHA Tonnerre e cila u afrua dje në portin e Bejrutit ka transportuar një ekip inxhinierësh nga ushtria e Francës. Ekipi i ardhur me pajisjet e tij do të marrë pjesë në punimet për heqjen e rrënojave, thuhet në deklaratën në të cilën vihet në dukje se me anijen krahas produkteve mjekësore dhe ushqimore kanë ardhur edhe materiale ndërtimi.
Në anën tjetër edhe anija HMS Enterprise e flotës mbretërore të Britanisë së Madhe mbërriti në Bejrut më 6 gusht për të kryer punime lidhur me dëmin e shpërthimit para procesit të rindërtimit.