Riyaz Ul Khaliq
03 Dhjetor 2020•Përditësim: 04 Dhjetor 2020
Platforma e mediave sociale kineze WeChat bllokoi mesazhin e kryeministrit të Australisë, Scott Morrison mbi një fotografi "në kundërshtim me faktet objektive", të një ushtari australian të postuar në Twitter nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, transmeton Anadolu Agency (AA).
Morrison u kishte dërguar një mesazh të martën rrjeteve kineze në WeChat, e cila ishte parë nga të paktën 57 mijë përdorues, por gjiganti kinez i mediave sociale e bllokoi atë, sipas transmetuesit "SBS News".
Sipas SBS News, mesazhi i Morrison-it për përdoruesit e internetit kinez "u pa se u bllokua nga e mërkura në mbrëmje me një shënim që dilte nga "Qendra Operative e Platformës Zyrtare të Llogarive Weixin", duke thënë se përmbajtja nuk ishte në gjendje të shikohej sepse shkelte rregulloret, përfshirë shtrembërimin e ngjarjeve historike dhe shkakton huti në opinion".
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Hua Chunying tha se: "WeChat ka të drejtë të merret me çështjen sipas rregullave të saj".
Në mesazhin e tij, Morrison kishte kritikuar Zhao Lijian për postimin e imazhit "të rremë" dhe "në kundërshtim me faktet objektive".
Duke reaguar ndaj kritikave, Ambasada Kineze në Canberra tha se: “Zemërimi dhe ulërima e politikanëve dhe mediave australiane për imazhin e ushtarit ishte një reagim i tepërt. Australia po kërkonte të shmangte vëmendjen e publikut nga mizoritë e tmerrshme nga ushtarë të caktuar australianë".
Kina ka kërkuar një hetim për krimet e pretenduara të luftës të kryera nga forcat speciale australiane të vendosura në Afganistan.
Duke mbrojtur qasjen e Australisë ndaj hetimit të krimeve të luftës të filluar javën e kaluar, Morrison tha se: "Australia do të merret me çështjen e hidhur në një mënyrë transparente".
Ushtarët australianë akuzohen se janë përfshirë në vrasjen e 39 civilëve afganë.
Zbulimi vjen pasi pjesëtarët e forcave speciale u përfshinë në një hetim të krimeve të luftës në Afganistan të lëshuar muajin e kaluar nga Ministria australiane e Mbrojtjes.
Të paktën 13 ushtarë kanë marrë njoftime për shkarkim.
Të martën, gazeta australiane "The Guardian" publikoi fotografi që tregojnë ushtarë të lartë të forcave speciale australiane duke pirë "birrë nga një protezë e këmbës së një pjesëtari të vdekur taleban".
Të paktën 19 ushtarë dhe ish-ushtarë konsiderohen për ndjekje të mundshme penale.