Zehra Nur Düz
22 Korrik 2020•Përditësim: 22 Korrik 2020
Ministri i Punëve të Brendshme të Libisë, Fat'hi Bashagha përshkroi vendimin e Parlamentit egjiptian për autorizimin e presidentit Abdel Fattah al-Sisi të ndërhynjë ushtarakisht në Libi si "deklaratë lufte", transmeton Anadolu Agency (AA).
"Miratimi i parlamentit egjiptian për vendosjen e trupave jashtë kufijve të saj perëndimorë është një deklaratë lufte për Libinë dhe shkel kartat e Lidhjes Arabe dhe OKB-së", shkroi ministri Bashagha sonte në një postim në Twitter, postim të cilin ai më vonë e largoi.
"Forcat e huaja në tokën libiane janë armiqë. Nuk do të hezitojmë për të mbrojtur sovranitetin, sigurinë dhe lirinë e kombit tonë”, tha Bashagha në të njëjtin postim.
Me një veprim që me gjasë do të përkeqësojë tensionet në Afrikën e Veriut, Parlamenti i Egjiptit dje miratoi një propozim që autorizon ndërhyrjen ushtarake në Libinë fqinje.
Në një votim sekret të kryesuar nga Kryetari i Parlamentit Ali Abdel Aal, parlamenti autorizoi presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, që "të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur sigurinë kombëtare të vendit", njoftoi e përditshmja Al Gomhuria.
Vendimi vjen një javë pasi parlamenti i Tobrukut të Libisë, i lidhur me kryekomandantin Khalifa Haftar, i dha leje Egjiptit për të ndërhyrë ushtarakisht në Libi, nën pretekstin e "mbrojtjes së sigurisë kombëtare" të të dy vendeve.
Muajin e kaluar al-Sisi kërcënoi me ndërhyrje ushtarake në lidhje me qytetet Sirte dhe Jufra, duke i cilësuar ata një "vijë të kuqe".
Që nga prilli i vitit 2019, forcat e paligjshme të Haftarit nisën sulme mbi kryeqytetin Tripoli dhe pjesët tjera të Libisë veriperëndimore, duke rezultuar në më shumë se 1.000 vdekje, përfshirë gra dhe fëmijë.
Megjithatë, në muajt e fundit Ushtria Libiane ka bërë përparime të theksuara, duke larguar forcat e Haftarit nga Tripoli dhe qyteti strategjik Tarhuna.
Haftar është mbështetur ndërkombëtarisht nga Rusia, Franca, Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.