Nour Mahd Ali Abu Aisha,Safiye Karabacak
29 Dhjetor 2017•Përditësim: 29 Dhjetor 2017
GAZA (AA) - Qindra persona në Gaza kanë protestuar kundër vendimit të SHBA-ve për njohjen e Kudsit si "kryeqytet të Izraelit", raporton Anadolu Agency (AA).
Në marshimet të cilat kanë nisur me thirrje të Hamasit dhe lëvizjeve të tjera pas namazit të xhumasë nga shumë xhami në Rripin e Gazës, krahas kryetarit të Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Henije, morën pjesë edhe shumë zyrtarë të tjerë.
Mushir el-Misri, një prej drejtuesve të Hamas-it në një fjalim tha se "Ndodhemi këtu për të treguar se Kudsi ashtu si më parë edhe sot ka shkaktuar intifadë, rezistencat palestineze dhe zemërimin e umetit".
Duke bërë të ditur se përpjekjet arabe dhe të gjithë botës islame duhet të drejtohen mbi "armikun e përbashkët, Izraelin", Misri, është shprehur se "Izraeli ashtu siç nuk do të mund të ndryshojë historinë, ai gjithashtu nuk do të jetë i suksesshëm as në përpjekje për të bërë hebre Kudsin".
Duke e cilësuar "krim kombëtar dhe moral" normalizimin me Izraelin, Misri duke u kërkuar vendeve arabe që t'i japin fund kësaj situate, u ka bërë thirrje grupeve palestineze që "të bien dakord mbi një strategji kombëtare të bazuar në konsensus".
Ndërsa Nafiz Azzam, një prej drejtuesve të Lëvizjes së Xhihadit Islamik, është shprehur: "Bota islame zyrtarisht nuk ka bërë asgjë kundër vendimit të pavlefshëm të Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump. Çfarë po prisni?". Pasi u ka bërë thirrje grupeve palestineze që të sigurojnë "bashkimin e Palestinës",
Azzam ka kërkuar që "Vendet arabe dhe islame të rritin koordinimin e tyre në lOuftën kundër SHBA-ve dhe Izraelit". "Përse nuk janë larguar deri tani ambasadorët? Përse vendet arabe dhe islame nuk kanë mbajtur një qëndrim të përbashkët ndaj vendeve si Guatemala e cila ka nxituar për vendosjen në zbatim të vendimit të Trumpit?", është shprehur Azzam, duke theksuar se duhet të hidhen hapa praktikë kundër vendimit të SHBA-ve dhe ka shtuar më tej se "Intifada e Palestinës duhet të vazhdojë dhe të zhvillohet".