Mahmoud Barakat
11 Prill 2019•Përditësim: 11 Prill 2019
Zyrtarët më të lartë ushtarakë të Sudanit thuhet se po zhvillojnë konsultime intensive për të formuar një këshill të përkohshëm qeverisës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sot më herët, presidenti Omar al-Bashir dha dorëheqje nga posti pas thirrjeve të vazhdueshme për dorëheqjen e tij.
Sipas mediave lokale, Al-Bashir aktualisht është nën arrest shtëpiak dhe truprojat e tij po ashtu janë arrestuar.
Ndërkohë, inteligjenca ushtarake sudaneze ka arrestuar mbi 100 drejtues të Partisë Kombëtare të Kongresit në pushtet.
Midis të arrestuarve ishin edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Abdel Rahim Mohammed Hussein, ish-nënpresidenti Ali Osman Taha dhe kreu i partisë në pushtet, Ahmed Haroun.
Megjithatë, burime të afërta mbi këtë çështje për AA njoftuan se kreu i inteligjencës sudaneze, Salah Gosh, nuk figuron midis të arrestuarve. Burimet e njëjta theksuan se Gosh mund të ketë një rol të fuqishëm në ndryshimet e ditës së sotme.
Në nëntor të vitit 2013, Gosh u arrestua pasi u akuzua për pjesëmarrje në një përpjekje të dështuar të grushtit ushtarak. Ai u lirua më vonë për shkak të provave të pamjaftueshme.
Më herët, televizioni shtetëror i Sudanit njoftoi se ushtria së shpejti do të bënte një “njoftim të rëndësishëm”.
Gjatë ditës së djeshme, qindra protestues sudanezë qëndruan të ulur jashtë shtabit të përgjithshëm të ushtrisë në kryeqytetin Khartoum për ditën e pestë me radhë, mes thirrjeve të vazhdueshme për dorëheqjen e presidentit Omar al-Bashir.
Sipas Komitetit Qendror të Mjekëve Sudanez, që nga e shtuna të paktën 22 persona janë vrarë në përplasjet midis demonstruesve dhe forcave të sigurisë të cilat vazhdimisht janë përpjekur të shpërndajnë protestuesit e ulur para shtabit të përgjithshëm të ushtrisë.
Policia, nga ana e saj, tha se vetëm një protestues është vrarë.
Sudani është tronditur nga protestat që nga dhjetori i kaluar, me demonstruesit që kërkojnë largimin e presidentit të vendit, i cili ka udhëhequr Sudanin që nga viti 1989.