Tufan Aktaş,Mehmet Nuri Uçar
11 Prill 2019•Përditësim: 11 Prill 2019
Ushtria sudaneze ka rrethuar shtëpitë e të afërmive të presidentit të vendit Omar al-Bashir, të cilat gjenden në qytetin Khartoum Bahri, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve që AA ka siguruar nga dëshmitarët okularë, automjetet e blinduara të ushtrisë sudaneze kanë rrethuar shtëpitë e të afërmive të al-Bashir-it që gjenden në veri të kryeqytetit Khartoum, në Khartoum Bahri.
Mes tyre gjendet edhe Abdullah al-Bashir, i cili nga opozitarët njihet si "kreu i korrupsionit në vend".
Sipas lajmeve në shtypin sudanez, pasi ushtria ka rrethuar televizionin dhe radion shtetërore këtë mëngjes, janë ndaluar fluturimet në aeroportin Hartum, ndërsa lejohen vetëm uljet.
Ushtria për së fundi ka rrethuar agjencinë sudaneze të lajmeve, SUNA, ndërsa nëpër rrugë mund të shihet se janë vendosur pjesëtarë të Forcës për Mbështetje të Shpejta të cilat janë në kuadër të ushtrisë.
Burimet lokale bëjnë të ditur se shërbimet e inteligjencës ushtarake kanë nisur të arrestojnë anëtarë të Partisë së Kongresit Kombëtar në pushtet.
Televizioni dhe radioja shtetërore që nga orët e mëngjesit janë duke emetuar himnin e vendit dhe këngë kombëtare, ndërsa në titra thuhet se ushtria së shpejti do të japë një njoftim të rëndësishëm.