Tufan Aktaş,Mehmet Nuri Uçar
11 Prill 2019•Përditësim: 11 Prill 2019
Forcat e sigurisë në Sudan kanë liruar disa nga personat e arrestuar gjatë protestave në qytetin Atbara i cili ndodhet në bregun e lumit Nil, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve që gazetari i AA-së ka marrë nga dëshmitarët, mësohet se protestuesit në qytetin Atbara marshuan drejt qendrave të paraburgimit për lirimin e personave që u arrestuan nga forcat e sigurisë.
Forcat e sigurisë fillimisht ndërhynë me gaz lotsjellës ndaj protestuesve, ku më vonë pas insistimit të protestuesve liruan disa nga personat e arrestuar.
Ndërkohë theksohet se edhe personat tjerë të mbetur do të lirohen pas përfundimit të procedurave.
Sipas informacioneve nga dëshmitarët bëhet e ditur se janë liruar nga burgu Gobar edhe liderët politikë opozitarë. Ndërsa nuk është dhënë ndonjë informacion në lidhje me personat e liruar.
Mediat sudaneze njoftojnë se pasi ushtria në Sudan rrethoi televizionin dhe radion shtetërore në aeroportin e kryeqytetit Khartoum fluturimet u ndaluan ndërsa lejohen vetëm uljet e avionëve.
Burimet lokale theksojnë se ushtarët kanë filluar të arrestojnë liderët e Partisë Kombëtare të Kongresit në pushtet ndërsa vërehet se ushtarët dhe pjesëtarët e Forcave të Mbështetjes së Shpejtë janë pozicionuar nëpër rrugë.
Që në orët e para të mëngjesit në televizionin dhe radion shtetërore janë transmetuar marshe dhe këngë kombëtare ndërsa u njoftua se ushtria do të japë një deklaratë të rëndësishme së shpejti.