Dildar Baykan
11 Tetor 2018•Përditësim: 11 Tetor 2018
NEW YORK (AA) – Numri i personave që kanë humbur jetën nga uragani Michael që ka prekur juglindjen e SHBA-ve është rritur në 2, ndërkaq njoftohet se uragani është shndërruar në stuhi tropikale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga Qendra Kombëtare për Uragane në SHBA thuhet se uragani Michael, i cili dje ka arritur në brigjet e Floridës, është shndërruar në stuhi tropikale meqë shpejtësia e tij është zvogëluar në 115 kilometra në orë.
Zyrtarët paralajmërojnë se stuhia tropikale e cila ka arritur në rreth 50 kilometra në juglindje të qytetit Macon, “ende mund të shkaktojë dëme të paparashikueshme”.
Dy persona kanë humbur jetën në SHBA si pasojë e këtij uragani. Drejtori i Menaxhimit të Gjendjes Emergjente në qytetin Seminole, Travis Brooks, njoftoi se një fëmijë ka humbur jetën si pasojë e uraganit. Kurse në Florida mbrëmë një person ka humbur jetën si pasojë e rrëzimit të një peme.
500 mijë persona pa energji elektrike
Zyrtarët njoftojnë se si pasojë të uraganit 500 mijë persona nga shtetet Alabama, Xhorxhia dhe Florida nuk po furnizohen me energji elektrike.
Uragani Michael pritet që sot pasdite, sipas orës lokale, të arrijë në Oqeanin Atlantik dhe që të largohet nga toka. Ndërkaq pritet që të prekë më shumë se 30 milionë persona.
Më i fuqishmi që nga viti 1992
Michael, i cili është uragani më i fuqishëm në Florida për 100 vite të fundit, pas uraganit Andres i cili ka goditur në vitin 1992, vlerësohet të jetë uragani më i fuqishëm që ka prekur SHBA-të nga toka.
Uragani Michael kishte nisur si stuhi tropikale në Detin e Karaibeve, kurse ditën e hënë ishte shndërruar në uragan. Në Honduras, Nikaragua dhe El Salvador, shtete në Amerikën Qendrore ku ishin parë ndikimet e para të uraganit, kanë humbur jetën 13 persona.