Mahmut Atanur
11 Tetor 2018•Përditësim: 11 Tetor 2018
XHAKARTË (AA) – Të paktën 3 persona kanë humbur jetën si pasojë e tërmetit i cili ka goditur brigjet e qytetit Situbondo, në verilindje të provincës Java Lindore të Indonezisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Agjencia Kombëtare Indoneziane për Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore (BNPB) njofton se tërmeti me fuqi prej 6,4 ballë sipas shkallës së Rihterit i cili ka ndodhur në brigjet e qytetit Situbondo është ndjerë më së shumti në rajonin Gayam, ku edhe kanë humbur jetën 3 persona.
Në deklaratë thuhet se në rajonin Gayam, si dhe në rajonin Jembrana të Ishullit Bali ku po ashtu është ndjerë tërmeti, janë dëmtuar edhe disa shtëpi.
Instituti Meteorologjik, Klimatik dhe Gjeofizik i Indonezisë (BMKG) njoftoi se epiqendra e tërmetit prej 6,4 ballë është 61 kilometra në veri të Situbondos. Sipas BMKG-së tërmeti është regjistruar 10 kilometra në thellësi të tokës.
Si pasojë e tërmetit dhe cunamit i cili ndodhi më 28 shtator në ishullin Sulawesi të Indonezisë numri i të vdekurve është rritur në 2.065. Tërmeti kishte shkaktuar cunami dhe valë të larta nga tre deri në gjashtë metra në qytetet Donggala dhe Palu.
Indonezia shtrihet në të ashtuquajturën "Unaza e Zjarrtë e Paqësorit", ku tërmetet dhe shpërthimet vullkanike janë të shpeshta. Më 26 dhjetor të vitit 2004, Indonezia u godit nga një tërmet tejet i fuqishëm prej 9,1 ballë, i cili u pasua nga cunami, si pasojë e të cilit humbën jetën 230 mijë persona në një territor që përfshiu edhe shtete të tjera të rajonit.