Bota

Turqia pret që Rusia t'u përmbahet angazhimeve në Idlib

"Regjimi i Assadit ka rritur agresionin e tij duke vrarë civilët në rajon pa bërë dallim", tha ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu

Aysu Biçer  | 22.01.2020 - Përdıtësım : 23.01.2020
Turqia pret që Rusia t'u përmbahet angazhimeve në Idlib

Davos

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka deklaruar se vendi i tij pret që Rusia t'u përmbahet angazhimeve për armëpushimin në Idlib të Sirisë si garantuese e regjimit të Bashar al-Assadit, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur gjatë seancës së titulluar "Perspektiva gjeopolitike: Lindja e Mesme dhe Afrika" që u mbajt në Davos të Zvicrës, Çavuşoğlu tha se situata në Idlib është kritike.

"Regjimi i Assadit ka rritur agresionin e tij duke vrarë civilët në rajon pa bërë dallim", tha ai.

Gjatë seancës së kryesuar nga presidenti i Forumit Ekonomik Botëror (WEF), Borge Brende, kryediplomati turk rikujtoi se 10 vite më parë problemi kryesor në Lindjen e Mesme ishte konflikti izraelito-palestinez.

Çavuşoğlu gjithashtu tha se kjo çështje vazhdon të thellohet, sepse "Izraeli vazhdon pushtimin e tij të paligjshëm dhe politikat kontradiktore".

Ai theksoi se ka pasur shumë kriza në Lindjen e Mesme përveç çështjes palestineze, duke theksuar se problemet në Jemen, Libi, Irak dhe kriza nëntëvjeçare në Siri, kanë prekur botën.

"Turqia ka luajtur një rol aktiv në zgjidhjen e problemeve në rajon", tha ai, duke shtuar se Ankaraja zyrtare ka punuar në dimensionin humanitar të krizës siriane dhe po strehon 3.6 milionë refugjatë sirianë.

- Sulmet e regjimit të Assadit në Idlib janë "të papranueshme"

Duke folur për sulmet e fundit të regjimit të Assadit në zonën e de-eskalimit në Idlib, Çavuşoğlu tha se këto sulme janë të papranueshme.

Lidhur me pyetjen për marrëdhëniet mes Turqisë dhe Rusisë, ai tha se Turqia nuk pajtohet për gjithçka me Rusinë, siç është mbështetja për regjimin e Assadit në Siri nga ana e Moskës zyrtare apo aneksimi i Krimesë.

Përkundër dallimeve, ai tha se dy vendet punojnë së bashku për të zgjidhur krizat në Siri dhe Libi, si dhe për të parandaluar krizat humanitare në Idlib.

Kryediplomati turk tha se dy shtetet kanë pozicione të ndryshme në disa çështje, por kjo nuk pengon bashkëpunimin mes dy vendeve.

"Në mënyrën e njëjtë Turqia zhvillon dialog me Iranin për Sirinë", shtoi ai.

Çavuşoğlu potencoi se problemi kryesor në Libi është gjenerali rebel Khalifa Haftar, duke shtuar se ai as nuk ka nënshkruar deklaratën e përbashkët në Moskë, e as nuk ka shfaqur përkushtim të qartë për armëpushim në Konferencën e Berlinit.

Lidhur me çështjen e pranisë së Turqisë në Libi, Çavuşoğlu tha se vendi i tij ka këshilltarë ushtarakë në vendin e përfshirë nga konflikti.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.