Michael Gabriel Hernandez
30 Maj 2020•Përditësim: 30 Maj 2020
Presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi administratën e tij të premten t'i japë fund trajtimit preferencial të Hong Kongut sipas ligjit amerikan në shenjë kundërpërgjigjeje për vendimin e Kinës për të zbatuar një ligj të sigurisë kombëtare në territorin gjysmautonom, raporton Anadolu Agency (AA).
"Unë e udhëzoj administratën time që të fillojë procesin e eliminimit të përjashtimeve nga politika që i japin Hong Kongut trajtim të ndryshëm dhe të veçantë", u tha Trump gazetarëve Shtëpinë e Bardhë, duke përmendur se direktiva do të përfshijë të gjitha marrëveshjet bilaterale me Hong Kongun, nga tregtia deri në ekstradim.
"Ne do të ndërmarrim veprime për të revokuar trajtimin preferencial të Hong Kongut si një territor i veçantë doganor dhe udhëtimi nga pjesa tjetër e Kinës", shtoi ai.
Kongresi Popullor i Kinës, organi më i lartë legjislativ i vendit, miratoi zyrtarisht të enjten legjislacionin e sigurisë në Hong Kong. Aktivistët shprehin frikë se ky do të përdoret nga Pekini për t'i shtypur kundërshtimet në territor.
Hong Kongu, një rajon gjysmautonom në Kinë që nga viti 1997, vitin e kaluar u përfshi nga protesta disamujore kundër një vendimi për të legalizuar ekstradimin në territorin e Kinës.
Trump tha se me zbatimin e ligjit të diskutueshëm, Pekini "imponoi në mënyrë të njëanshme kontrollin mbi sigurinë e Hong Kongut".
“Hong Kongu ishte i sigurt dhe i prosperuar si një shoqëri e lirë. Vendimi i Pekinit i ndryshoi të gjitha këto. Ai shtrin hapësirën e aparatit pushtues të Sigurimit Shtetëror të Kinës aty që më parë ishte bastion i lirisë", tha ai.
"Kjo ishte një shkelje e qartë e detyrimeve të traktatit të Pekinit me Mbretërinë e Bashkuar në deklaratën e vitit 1984, dhe dispozitat e qarta të ligjit themelor të Hong Kongut", shtoi Trump.
Kina ka akuzuar SHBA-në se po luan një "politikë pushteti dhe praktika të abuzimit".
"Kina refuzon në mënyrë kategorike kërkesën e pabazë të SHBA-së për mbledhje të Këshillit të Sigurimit. Legjislacioni për sigurinë kombëtare për Hong Kongun është thjesht çështje e brendshme e Kinës. Ajo nuk ka asnjë lidhje me mandatin e Këshillit të Sigurimit", shkroi në Twitter ambasadori i Kinës në OKB Zhang Jun.
Si anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurisë, Pekini e pengoi trupin të mbante një takim zyrtar mbi Hong Kongun. Por SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar mbajtën një seancë joformale mbi ligjin e sigurisë së bashku me anëtarët e tjerë.
Kelly Craft, e dërguara e SHBA-së në OKB, tha në një deklaratë të lëshuar pas takimit se Kina "shkel transparencën dhe përmbush detyrimet dhe obligimet e saj ndërkombëtare vetëm kur është e përshtatshme".
"Sot unë i bëra Këshillit një pyetje të thjeshtë: a do të marrim qëndrimin e nderuar për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe mënyrën dinjitoze të jetës që miliona qytetarë të Hong Kongut e kanë shijuar dhe merituar si të gjithë njerëzit liridashës, apo do të lejojmë që Partia Komuniste e Kinës të shkelë ligjin ndërkombëtar dhe të detyrojë vullnetin e saj mbi Hong Kongun, të cilët kërkojnë nga ne që të mbrojmë mënyrën e tyre të jetës dhe liritë e tyre?" pyeti ajo.
"Shtetet e Bashkuara janë të vendosur dhe u bëjnë thirrje të gjitha vendeve anëtare të OKB-së të bashkohen me ne duke kërkuar që Republika Popullore e Kinës menjëherë të ndryshojë kursin", shtoi Craft.