Hakan Çopur
29 Shtator 2017•Përditësim: 29 Shtator 2017
WASHINGTON (AA) – Presidenti i SHBA-ve Donald Trump me një thirrje telefonike i ka uruar kancelares gjermane Angela Merkel fitoren në zgjedhjet e fundit në Gjermani, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga Shtëpia e Bardhë thuhet se Trump i ka uruar Merkelit për suksesin në zgjedhjet e përgjithshme.
“Presidenti Trump ka nënvizuar marrëdhëniet e thella mes dy shteteve, përpjekjet e përbashkëta për hapjen e rrugës së paqes dhe të prosperitetit si dhe përkushtimin e SHBA-ve për aleancën e fortë me popullin dhe qeverinë gjermane”, thuhet në deklaratë.
Në bisedën Trump - Merkel po ashtu është diskutuar për “aktivitetet e dëmshme të Iranit në rajon”, si dhe për rëndësinë e “pastrimit të Gadishullit Korean nga armët bërthamore”.
Ndryshe, në zgjedhjet e përgjithshme në Gjermani të mbajtura të dielën e kaluar, fitues doli Unioni Kristian-Demokrat i Angela Merkelit, CDU/CSU, me 32.9 për qind të votave.